“Pas vrasjes, i vuri armën në qafë policit”, drejtori i burgut të Peqinit: Lëvizjet e Sokol Mjacajt ditën e ngjarjes

0
333

Dosja hetimore në lidhje me dëshminë e dhënë nga drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, për vrasjen që i dënuari përjetë Sokol Mjacaj kreu në këtë institucion, ku ekzekutoi Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan, edhe ata të dënuar përjetë.

Kamber Hoxha u shpreh se punonjësit e ajrosjes, i kanë komunikuar se Sokol Mjacaj kishte kërkuar që të shkonte të merrte kafe dhe ka shkuar nga ajrosja që gjendet në katin e parë, për në katin e dytë ku ndodhej dhoma e tij.

Më pas, vijon Hoxha, Mjacaj ka zbritur përsëri për të dalë në sheshin e ajrosjes. Hoxha theksoi se dhoma ku gjendeshin Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja, ndodhej majtas në katin e parë, në një distancë rreth 5 metër nga sheshet e ajrimit. Nga dritarja, pasi i foli në emër të dyve, Mjacaj i ka qëlluar me armë.

Ndërkaq, pasi kreu vrasjen, Mjacaj i vendosi pistoletën në qafë një punonjësi të policisë.

Pjesë nga dosja hetimore në lidhje me dëshminë e Kamber Hoxhës

“I dënuari Sokol Mjacaj (i dënuar me burgim të përjetshëm), nga koha që unë erdha i komanduar në detyrën e drejtorit të IEVP Peqin në datën 22.11.2023, e kam gjetur të akomoduar në godinën e cilësuar si godina e 41-Biz, i cili aty ishte i akomoduar i vetëm në dhomë. Për shkak se do të hapej 41-Biz, duhet të boshatiseshin sektorët ku ishin të akomoduar rreth 20 të burgosur, të cilët brenda ditës janë sistemuar nëpër sektorë të tjerë dhe janë marë masat për akomodimin e të burgosurit, i cili me urdhër të Ministrit të Drejtësisë do të kalonte në regjimin e posaçëm (41-Biz). Për këtë arsye e kemi sistemuar në katin e dytë të godinës B. Në fillim të muajit hartohet grafiku nga shefi i regjimit të brendshëm dhe shefi i policisë, për daljen në ajrosje të burgosurve sipas sektorëve dhe miratohet nga drejtori i institucionit. Si në dalje për ajrosje dhe në hyrje për ajrosje bëhet kontroll nga punonjësit e policisë të ngarkuar për këtë detyrë. Unë nuk e kam të qartë se si e ka kryer lëvizjen ky i burgosur. Nga komunikimet që unë pata me punonjësit e ajrosjes, m’u tha që Sokoli i kishte kërkuar që të shkonte të merrte kafe në dhomë.

Ka shkuar nga ajrosja që gjendet në katin e parë, për në katin e dytë ku ndodhej dhoma e tij, pastaj ka zbritur përsëri poshtë për të dalë për në sheshin e ajrosjes. Dhoma ku janë dy të dëmtuarit është dhoma e parë, majtas në katin e parë, në një distancë rreth 5 metër nga sheshet e ajrimit. Aty nga dritarja pasi i foli në emër të dëmtuarve i ka qëlluar me armë. Pastaj ndërhynë punonjësit e policisë dhe e çuan tek ambientet e takimit. Në këtë kohë Sokoli i vendosi pistoletën në qafë punonjësit të policisë, emrin e të cilit nuk e di. Pas kësaj e futën në dhomat e takimit të familjarëve. Derën ku u fut Sokoli e mbylli me shul hekuri (lloz) nga brenda./abcnews