Endlers Kërtusha, administrator i kompanisë Aquatiq, po shqyrton mundësinë të zhvendosë projektin 26 milionë euro për ndërtimin e një ferme Akuaponike që kultivon perime dhe peshq në të njëjtën kohë përmes ujit, nga Shqipëria në Maqedoni.
Projekti, i cili ka mbështetje gjermane dhe është më i madhi i këtij lloji në Ballkan, nuk po realizohet në Shqipëri, për shkak të burokracive. Zoti Kërtusha tha se “po shohim Maqedoninë si një opsion dytësor për të mos dështuar projektin në tërësi, për shkak të burokracive dhe vonesave të ndryshme që shkaktohen nga institucionet shqiptare”. Ai shtoi se, Maqedonia gjithashtu ofron mbështetje më të madhe dhe masa nxitëse për investime inovative dhe të qëndrueshme, si në vlerën e investimit, në punësim dhe lehtësive fiskale të lidhura me to.
Pse nuk keni përparuar me investimin në Shqipëri?
Koha më e madhe e kaluar në rrugëtimin tonë në Shqipëri janë pritjet e tejzgjatura që vijnë si rrjedhojë e burokracive të ndryshme, e ndikuar edhe nga situatat e ndryshme që ndodhin në vend. Nisur nga ato politike, fatkeqësive natyrore dhe pandemike.
Ne si ish-investitor strategjik u bëmë të tillë pasi mbaroi afati dyvjeçar dhënë nga KIS, pa arritur të marrim në kohë nga institucioni përkatës një asistim të duhur e të denjë. Në bazë të specifikave të investimit dhe zonës ku do të zhvillohet projekti, aplikuam përsëri në janar 2020 për statusin e Investitorit Strategjik, ku kësaj radhe aplikojmë për një projekt shumë herë më të madh, gjithëpërfshirës në zonë, me një vlerë investimi rreth 26 milionë euro, ku krijohen rreth 1500 vende pune.
Ky investim që lind dhe mbështetet fort nga partnerë gjermanë e austriakë është i pari i këtij lloji në Ballkan nga teknologjia dhe nga më të mëdhenjtë në fushën e bujqësisë. Vlen të theksojmë se nuk ka një respektim të afateve e procedurave. Gjithashtu vihet re një mosrespektim i radhës ku, deri diku, lë edhe shije klientelizmi, në asistimin e subjekteve për realizimin e investimeve. Arsye këto të ndara, ose së bashku, shkaktojnë mjaft vonesa dhe mospërparim në realizimin e investimeve.
Pse keni vendosur që ta shihni edhe Maqedoninë si opsion?
Duke qenë se projekti ynë është i lidhur ngushtë nga kërkesë-oferta e tregut dhe synohet 90% e prodhimit për eksport. Shohim Maqedoninë si një opsion dytësor për të mos dështuar projektin në tërësi, për shkak të burokracive dhe vonesave të ndryshme që shkaktohen nga institucionet shqiptare. Klima e Maqedonisë është e përafërt me atë të Shqipërisë dhe për nga ana logjistike, ka pak më shumë përparësi se Shqipëria. Thënë ndryshe është një pozicion mjaft i favorshëm strategjik midis dy tregjeve të synuara të kompanisë sonë, atij europian dhe Gadishullit Arabik.
Në çfarë sektori do të investoni dhe sa është plani i investimit?
Deri në momentin që nuk do të kemi rezultate nga asistimi që duhet të bëhet nga AIDA, si dritare unike për mbarëvajtjen e investimeve strategjike, nuk do të humbim më tepër sesa kemi humbur kohë në Shqipëri dhe të gjithë investimin dhe projektin e fermës Aquaponike do ta zhvendosim në Maqedoni. Vlera e investimit, sektori dhe numri i të punësuarve mbetet po i njëjtë.
A bëjmë dot një krahasim të procedurave, burokracive dhe lehtësive fiskale mes dy vendeve, pra Shqipërisë dhe Maqedonisë, ku jeni duke parë opsionet e investimit?
Ne jemi në kontakte të ngushta me institucionet përkatëse maqedonase për të pasur të gjithë informacionin e nevojshëm dhe hapat nëpër të cilat do të kalojmë, por nuk di të themi saktësisht, sepse Maqedonia është vend ende i pashkelur nga ne. Duhet të them se, nisur nga përvoja e sipërmarrjeve të tjera dhe feedback të kompanive të ndryshme internacionale në Ballkan, vend i preferuar për të investuar shikohet Maqedonia, për sa i përket rrugëtimit institucional.
Nga informacionet që kemi, koha e burokracive është 1/3 krahasuar me ato në Shqipëri. Gjithashtu ka një mbështetje të madhe dhe masa nxitëse nga institucionet maqedonase për investime inovative dhe të qëndrueshme, si në vlerën e investimit, në punësim dhe lehtësive fiskale lidhur me to.
Monitor