Në gjurmë të lashtësisë
Pashtreshi,atje ku ruhen prej mijra vjetësh imazhe të hyjnive të natyrës Zara dhe Bariu i Shenjtë
Pashtreshi,është një ndër katunet më të vjetër të Shpatit të Sipërm.Emërtimi katun vjen qysh nga lashtësia deri në ditët tona:-U mblodh katuni.-T’part e katunit.-Katuni fqinj.-Kisha e katunit.-Pylli i katunit…etj.”Në të folmen e Shpatit grupet bashkëtingëllore mb dhe nd janë asimiluar dhe na kanë dhënë m dhe n si p.sh.mbjell-mjell,katund-katun.”¹
Ai shtrihet në jug të faqes së malit Bukanik,në jugperëndim të malit të Çikës;kufizon me katunet:Zavalinë në lindje dhe juglindje,Nezhar në jug,Zbresh në jugperëndim,Valsh dhe Maskarth në perëndim,Gjinar në veriperëndim².
Mes për mes katunit kalon rruga automobilistike Elbasan-Gjinar-Pashtresh-Zavalinë-Poroçan,deri diku në gjurmët e rrugës së vjetër që dallon vende-vende edhe sot,e cila lidhte qytetin e Elbasanit nëpërmjet Shpatit të Sipërm me Korçën,Pogradecin e Strugën.
Pashtresh (Foto: L.Kotorri)
Komuniteti i Pashtreshit formon një bashkësi territoriale ku ka ekzistuar dhe ekziston forma e pronës private dhe pronës së bashkësisë mbi tokën.Organizimi i këtij komuniteti bëhej nga mbledhja e katunit nën drejtimin e pleqësisë së zgjedhur,e cila kishte atribute të përcaktuara në jetën ekonomiko-shoqërore të bashkësisë.
1.Dialektologjia shqiptare I Tir.1971.Mehmet Çeliku. E folmja kalimtare e Shpatit fq.211.
2.Emrat e katuneve po i shënojmë ashtu si shqiptohen në dialektin e Shpatit: Nezhar dhe jo Nezhan,Zbresh dhe jo Xibresh,Valsh dhe jo Valësh.
Pleqësia drejtonte komunitetin për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e kishës, mullirit, kanaleve ujitëse dhe rregullit të vadesë së ujit;ndërtimin e banesave të reja për antarët me kontribut vullnetar(argatia);kryerjen e punëve të ndryshme bujqësore dhe blegtorale me grupe të bashkuar si në mbjellje,korrje,shirje,qethje bagëtish,grumbullim prodhimesh bujqësore,dru zjarri etj.Zgjidhte mosmarrëveshjet civile ndërmjet antarëve.
Burimet ekonomike për banorët kanë qenë blegtoria,bujqësia dhe përpunimi i lëndës drusore.Përparësi ka patur blegtoria,kjo edhe për arësye të kullotave (pashtra)nga të cilat mendojmë se e ka marrë emrin katuni Pashtresh.Çdo familje kishte kullota dhe stane verore në mal,apo çifligje,siç quheshin stanet dimrore në vërri.Kishte dhe kullota të përbashkëta në mal dhe vërri,ku kullosnin bagëtitë e gjithë familjeve të bashkësisë. Në fjalorin e gjuhës shqipe Tir.1980 fq.1384-85 jepen kuptimet:
PÁSHT/ËR, ̴RA f.sh. ̴RA, ̴RAT.Livadh me bar të pashkelur;vend me bar ku s’ka kullotur bagëtia.
PASHTRÁ/K, ̴KU m. sh. ̴QE, ̴ QET hist. 1.Kullotë brenda kufijve të një bajraku.
2.Taksë a gjobë që paguhej për shfrytëzimin e një kullote të huaj ose të një kullote të ndaluar;taksë kullote.
PASHTRÉF, ̴I m. hist. Pashtrak.Pra,siç provohet nga fjala pashtr me anë të prapashtesës -esh³ është formuar emri Pashtr-esh,ashtu siç është formuar edhe emri i një pylli me dru rrobulli Zel(esh),Zeleshe,gurra e Zeleshes,bregu i Zeleshes,kurse nje kullote e vogël në mal me anë të prapashtesës zvogëluese -ez na ka dhënë emrin e pyllit: Pashtr-ezë⁴.
Interes për lashtësinë e këtij katuni paraqesin dhe disa rrënoja venbanimesh,legjendash dhe mitesh,si dhe mikrotoponimia e pasur e tij.
Fangu-ndodhet në perëndim,kufizon me lagjen Malishtë pranë kalasë së Valshit.Ka rrënoja ndërtesash,fragmente të shumta qeramike që datojnë rreth shek.IV-III p.k.,mbetje të punimit të metalit të hekurit etj.
Murez-ndodhet në jugperëndim,në krahun e djathtë të Zallit të Pashtreshit.Ka rrënoja të shumta banesash të shoqëruara me shumice qeramike.Legjendat thonë se aty banonte fisi i Homeshit,i cili u zhduk nga kolera.Dallohen rrënojat e një kishe(shënrafoi),në muret e së cilës dallohen pjesë suvaje me afreske.
Skrepeticë-ndodhet në jug,në krahun e majtë të Zallit të Pashtreshit,në rrugën që shkon për në katunin Nezhar.Dallohen shenja të qarta të furrave të pjekjes së enëve prej qeramike dhe tjegullave të ndryshme.Aty ndodhen rrënojat e kishës së Shtodhrit,që feston nga fundi i shkurtit.Për këtë festë⁵ gatuhet një bukë e grunjtë e veçantë e shenjuar me gjurmë të kafshëve shtëpiake.Bukën e gatuante majtorja e shtëpisë.Gjurmët e kuajve,të qeve dhe të lopëve i bënin me kupën e lugës së drunjtë,kurse ato të gjave të imta,dhi e dele me bishtin e lugës.Buka bëhej me kripë dhe kur piqej i hiqnin gjurmët,i shkërrmoqnin dhe ua jepnin gjasë së trashë dhe të imtë në gjollë.Atë ditë nuk duhej të punonin as kuajtë dhe as qetë. .”Ndodhi njëherë që i vunë në punë qetë,por ata u çmendën e u hodhën në rrypën e Skrepeticës me gjithë parmendë”.⁶
3.Prapashtesat e gjuhës shqipe nga Prof.Dr.Aleksandër Xhuvani dhe Prof.Eqrem Çabej Tir.1962.”Me këtë prapashtesë janë formuar toponime e patronime,d.m.th. emra vendesh të ndryshëm,si katundesh,lagjesh,pyjesh e kullotash dhe emra familjesh…” 4.Po aty si më sipër.Kjo prapashtesë na del edhe në disa emra topikë…Kjo prapashtesë është e lashtë në shqipet…
5.Të dhëna nga S.dhe J.Demiri(1989F.B.) 6. Të dhëna nga K.Çalladej(2003F.B.)
Legjenda per Sysythin dhe Rrëzë Ulok
Sysyth-i;kodër në perëndim,aty ku ndahen rrugët që shkojnë për Valsh dhe Zbresh.
Rrëzë Ulok-u;shpat kodre në verilindje përballë Sysythit.
Në kohëra të vjetra që nuk mbahen mend,asht ba luftë ndërmjet katuneve Valsh dh Pashtresh për arsye kufijsh.⁷ Valshakët e donin kufirin në Sysyth,kurse pashtresashit në Gur Cep.Valshakët ishin futur deri në Sysyth,ku u pritën me luftë nga vendasit,që kishin zënë vend në Rrëzë Ulok.Gjuan komandanti i valshakëve me hark dhe shigjeta i thyen kupën e gjurit pashtresashit,i cili mbeti ulok,prandaj këtij vendi i mbeti emri Rrëzë Ulok. Komandanti i valshakëve ishte veshur i tëri me hekur,vetëm sytë i dukeshin dhe komandanti i Pashtreshit e qëllon në sy dhe ai bie i vdekur.Ketij vendi i mbeti emri Sysyth.Si përfundim valshakët u tërhoqën në kufijtë e mëparshëm,por marrëdhëniet ndërmjet dy katuneve mbetën të acaruara.Shkalla në shkëmbin e Valshit,ku kalonte rruga nga Pashtreshi në Valsh dhe anasjelltas,u mallkua,që të mos kalonte asnjë nuse në këtë shkallë.Aty u ngulën disa gozhdë kali ,si shenjë e këtij mallkimi në shkëmb.Natyrisht,mbas këtij mallkimi,martesa u bënë,por kalonin në rrugë të tjera.E para nuse që prishi mallkimin dhe kaloi në shkallën e Valshit ishte e bija e Isuf(Jorgji)Qoses nga Pashtreshi,martuar tek Kostë Toçi nga Valshi.
Mbijetoja të hyjnive Zâra dhe Bariu i shenjtë
Mbijetoja të miteve që kanë rrugëtuar prej mijëra vjetësh në folklorin e pasur të shpatarakëve dhe që praktikohen edhe në ditët e sotme,pasqyrojnë kulturën popullore dhe qëndrimin e këtyre banorëve ndaj fenomeneve të ndryshme të natyrës dhe jetës njerëzore.
Në kujtesën popullore,një vend të rëndësishëm kanë zënë përfytyrimet mbi hyjnitë e natyrës: dielli,hëna,të mirazt,e bukura e dheut,dragoi,kuçedra,gjarpëri,ariu,ujku,kaprolli
etj.Një hyjni e tillë në Shpat ka qenë Zâra⁸,që personifikonte bukurinë femërore,fuqinë hyjnore.mbrojtsen e pyjeve,burimeve dhe kafshëve të egra.Figura e saj ,veç legjendave dhe këngëve popullore,është monumentizuar edhe në emërtimet e vogla gjeografike(mikrotoponimia) e fshatit Pashtresh;Çuka e Zârës(Çuka e parë,e dytë,e tretë),lugu i Zârës,kroi i Zârës,bregu i Thanës.”…Në rrënjë zana është një hyjneshë,që i takon botës femrore.Po krahas kësaj,kemi në besimet popullore dhe një hyjni të maleve dhe të pyjeve të botës mashkullore.Ky është Njeriu i mirë a Njeriu i shenjtë,që e njohim dhe me emrat shën Mërtiri…”⁹.Disa hyjni pagane,me lindjen e krishterimit,u indentifikuan me shënjtorë të kësaj feje si shën Gjergji,shën Ilia,shën Marena,shën Todhri,shën Gjini,shën Premte,shën Mitri etj.
Kështu edhe bariu i shenjtë u identifikua me shën Martinin,Shumurtirin,siç shqiptohet në Pashtresh,ku është ndërtuar edhe kisha e Shumurtirit në vendin e quajtur Vreshtas,e cila u shemb gjatë kohës së diktaturës komuniste.Shumurtiri ishte mbrojtës i bagëtive të fshatit nga ujku.Shprehja që shpesh përdoret edhe sot në këtë fshat”Ta mbylltë gojën Shumurtiri” ka të bëjë me besimin se shumurtiri ishte padron i ujqëve dhe mund t’i ndëshkonte ata që të mos ushqeheshin për një farë kohe,duke u mbyllur gojën.Të përcaktonte tufën e pronarit ku do të hante ose jo ujku.Blegtorët për tu mbrojtur nga dëmet e ujkut çonin në kishë një bashkë leshi.Nuk përdornin gërshërët në ditë të shënuara etj.Shumurtiri festohej dhe, pas rënies së diktaturës, festohet dy herë në vit më 4 qershor dhe 11 nëntor,sipas kalendarit Julian,në çdo familje të fshatit Pashtresh,ku vinin miq e shokë nga fshatrat fqinje.Në dallim nga festat e tjera fetare,ditën e Shumurtirit në kishë përveç dhuratave,zakonisht bashka leshi,shtronin dhe hanin drekë bashkarisht të gjithë të pranishmit,siç thotë Robert Elsie”…Dita e tij e festës,11 nëntor,u festua në mënyrë të veçantë në Pashtresh,në rajonin e Shpatit në Shqipërinë qëndrore…”¹ᴼ. Pastaj festa vazhdonte në çdo familje me miqtë e tyre.Banorët e larguar nga fshati Pashtresh për në vendbanime të tjera kanë vazhduar ta festojnë Shumurtirin në vendbanimin e ri.
Rrënojat e kishës së shumurtirit në Pashtresh(Foto V.Qosja)
Pasuria e madhe e trashëguar në folklorin dhe në toponiminë e këtij fshati dhe jo vetëm,por gjithë krahinës së Shpatit,duhet regjistruar sa më shpejt,se nga dita në ditë ajo vetëm humbet.Të humbasësh vlera të tilla që na kthejnë në shekuj dhe mijëvjeçarë të kaluar të historisë,do të thotë të humbasish identitetin e popullit tënd.Kjo do të jetë e pafalshme për intelektualët,arsimtarët nxënësit e studentët e Shpatit dhe pushtetin vendor.
Filip Berdufi Blog