Pastronte paratë e Çopjave, GJKKO lë në burg Klejdi Merkajn/ Grupit iu sekuestruan 10 mln dollarë kriptovalutë

0
3

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka rrëzuar kërkesën e Klajdi Merkaj, anëtar i grupit kriminal që drejtohej nga vëllezërit Çopja, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

35-vjeçari Merkaj njihet si mik i ngushtë i vëllezërve Çopja dhe nga hetimet e deritanishme të SPAK, dyshohet se i riu pastronte paratë e Hajdar dhe Franc Çopjas.

35-vjeçari u ekstradua në muajin nëntor të vitit 2024 nga Italia në drejtim të Shqipërisë, pasi ndaj tij GjKKO kishte caktuar masën “arrest në burg”, për veprën penale  “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, SPAK sekuestroi dhjetëra pasuri të vëllezërve Çopja, në bashkëpunim me policitë e disa shteteve, ku ata dyshohet se vepronin me trafikun e kokainës, dhe pagesat i bënin me monedha virtuale.

SPAK sekuestroi 10 milionë dollarë kriptovaluta, vila, garazhe, resorte, godina biznesi, truall dhe një hotel e një dupleks në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit.

Aktualisht Hajdar Çopja është i arrestuar në Belgjikë, pasi u ekstradua atje nga Dubai, vend ku dyshohet se ndodhet vëllai tjetër Franc Çopja./ Top Channel