“Pazari” i Prrenjasit, tregti në ambient të hapur si në mesjetë

0
155

Tezgat mbushen me mall dhe ky shesh gjallëron nga njerëzit çdo të dielë. Është tregu i Bashkisë së Prrenjasit.

Shi apo diell, baltë e pluhur të dielën aty shiten të gjitha.

Në ditët e tjera, fruta-perimet dhe produktet me origjinë shtazore që kërkojnë kushte të veçanta për tu ruajtur shiten në rrugët e qytetit.

“Unë mendoj që peshku mos të shitet aty, gjithashtu dhe pulat”.

Qytetarët janë sfiduar të kujdesen vete për atë që do blejnë.

“Kam blerë gjizë, kam blerë djathë, pula i ka hapur pendët dhe është mbushur gjithë pluhur. Të bëj bashkia vendin ku të shiten zarzavatet. Edhe këto leckat nuk e kanë vendin për tu shitur këtu. Bashkia e ka gjithë këtë në dorë”.Në qytetin e vogël të minatorëve, banorët ndjehen të harruar nga mungesa e investimeve.

“Ka shtet, nuk ka shtet, ka mbaruar çdo gjë. Ta dijë dhe populli shqiptar se ka mbaruar çdo gjë këtu”.

Disa nuk e fshehin zhgënjimin për pushtetarët që i kanë zgjedhur me votë dhe e kanë humbur shpresën se ditët e mira do të vijnë.

“Shqipëria nuk bëhet me këto qeveritarët që janë në pushtet”.

Në Bashkinë e drejtuar nga Socialistët e pranojnë se kanë dështuar ti japin qytetit një treg agro-ushqimor.

Alban Çekrezi: Ne e kemi parashikuar një treg për gjithë tregtarët e bashkisë Përrenjas, por dhe për tregtarët e zonave përreth. Ata  vijnë ditën e diel në qytetin e Përrenjasit por dhe gjatë ditëve të javës dhe gjithë tregtarët vendas shërbejnë në kushte jo të mira.

Thonë se kanë projekt, por nuk kanë para për ta zbatuar.

Alban Çekrezi: Ne kemi një plan për ndërtimin e një tregu të ri bashkëkohor , i cili do të jetë në përputhje më gjitha standartet e duhura.

Derisa Bashkia të sigurojë paratë për të ndërtuar një treg, pazari në Prrenjas do të vijojë në mesjetë.