Nga Irdi Zjarri
Në këtë vend, karriera nuk ndërtohet mbi rezultate, por mbi qëndresë. Jo ndaj problemeve të qytetarëve, por ndaj skandaleve personale. Sa më fort të mbash frymën kur shpërthen historia, aq më i madh shpërblimi.
Rasti i fundit është ilustrues. Pasi u mor peng brutalisht, u përfshi në afera publike, u përfol dhe u ekspozua nga njerëzit e pushtetit, përgjigjja e shtetit nuk ishte distancimi, as hetimi i thelluar, por promovimi financiar: 450 milionë lekë për “Gerond Meçen”, jo si gabim administrativ, por si akt politik.
Dokumentet flasin. Vendimet janë aty. Firmat janë aty. Nuk kemi të bëjmë me thashetheme kafenesh, por me një mekanizëm klasik rilindas:
*Kur je i kapur, bëhesh i bindur.
*Kur je i bindur, bëhesh i vlefshëm.
*Kur je i vlefshëm, shpërblehesh.
Ky nuk është korrupsion i rastësishëm. Është sistem besnikërie. Një kontratë e heshtur, à la Gomorra: “Ne të mbrojmë, ti hesht”. Dhe heshtja, në këtë vend, paguhet më mirë se profesionalizmi.
Hetimi bëhet formal, përgjegjësia avullohet, ndërsa paratë publike ndryshojnë adresë me shpejtësinë e një firme.
Në çdo shtet normal, një figurë e implikuar do të largohej. Në Shqipëri, ngjitet. Sepse këtu problemi nuk është skandali. Problemi është tradhtia. Dhe tradhtia ndëshkohet. Skandali, përkundrazi, shpërblehet.



