Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshimin e koeficientëve të indeksimit të pagave, që shërbejnë për përllogaritjen e masës fillestare të pensionit.
Ky ndryshim do të zbatohet për të gjitha pensionet që do të caktohen mbi bazën e datës së lindjes të së drejtës pas 1 janarit 2025.
“Do të kemi një masë të re fillestare të pensionit dhe qytetarët do të marrin edhe diferencën që rezulton nga koeficientët e rinj me koeficientët e aplikimit deri në 31 dhjetor të vitit 2024. Strukturat e Sigurimeve Shoqërore tashmë kanë filluar të zbatojnë efektet financiare të llogaritjes së masës fillestare të pensionit për shkak të koeficientëve të rinj. Deri në fund të nëntorit do të përfundojë rillogaritja e gjithë pensioneve që janë caktuar me datën e lindjes nga 1 janari 2025 deri në datën e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave,” thotë Riza Ashimi, specialist në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Korçë.
Krahasuar me vitet e mëparshme, koeficientët e rinj përfaqësojnë një rritje prej 9,3%. Si rezultat, pritet që masa fillestare e pensionit të rritet mesatarisht me rreth 6% në varësi edhe të elementëve të tjerë që ndikojnë në përllogaritje.
“Për të gjitha pensionet do të kemi një efekt financiar, që varet nga baza e vlerësuar, nga paga mbi të cilën janë paguar kontributet dhe nga vështirësia në punë që ka pasur një person i siguruar. Mesatarisht do të kemi një shtesë të masës fillestare të pensionit rreth 6%,” tregon z. Ashimi.
Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të skemës së pensioneve dhe garantimit të një përfitimi më të drejtë dhe të përshtatshëm për qytetarët që dalin në pension në vitet e ardhshme.