Këtë vit gjeli i detit do ti kushtojë familjeve shqiptare rreth 200 lekë më shumë për kilogram. Nëse një vit më parë në të njëjtën periudhë çmimi i gjelit të detit varionte nga 800 në 1000 lekë , këtë vit fermerët e kanë nxjerrë në treg me 1000-1200 lekë për kg.Fermerët e Peqinit të cilët njihen për traditën e mbashtrimit dhe rritjes së gjelit të detit thonë se tregu këtë vit fillon me një çmim të lartë pasi edhe kosto e rritjes së gjelave është rritur.Bashkia e Peqinit është bashkia e cila e rrit këtë shpend në masë. Drejtori i bujqësisë thotë se çdo vit nga fermerët e Peqinit rriten rreth 30.000 krerë gjela deti.
Edhe këtë vit bashkia e Peqinit organizoi panairin e gjelit të detit, panair i cili u vizitua edhe nga ministrja e bujqësisë Anila Denaj. Ministrja u njeh nga afër me vështirësitë që hasin fermerët për të rritur gjelat e detit dhe tha se qeveria po i përkrah në mënyra të ndryshme. E njohur me shqetësimin për produktet e importit Ministrja Denaj ftoi qytetarët të konsumojnë produktet e vendit për të ndihmuar fermerët.
Kryetari i bashkisë së Peqinit ftoi qytetarët shqiptar që ta blejnë gjelin e detit në Peqin pasi është i një cilësie shumë të mirë.
Paralelisht me panairin e gjelit të detit u promovuan edhe produktet agro ushqimore të Peqinit.