“Për në Elbasan lista ka qenë e gjatë… m’u ofruan 150 mijë euro”/ Nga Altin Ndoci te Besmir Haxhia, “zbërthehet” Henrik Hoxhaj! Zbardhen skemat e vrasjeve me pagesë

0
2

Në gjyqin e “Plumbit të Artë”, siç raporton gazetari Edison Vatnikaj, Henrik Hoxhaj ka rrëfyer për “porositë” që i kishte dhënë Nuredin Dumani.

Henkrik Hoxhaj: “Pas kësaj ngjarje, kemi folur për ngjarjen e Altin Ndocin dhe atë, një nga vëllezërit Haxhia. Arsyeja për vrasjen e Ndocit më thoshte që ishte sepse ata që donte të vriste donin t’i linin në kurriz vrasjet e Elbasanit.

Për Ndocin, kishte dhe arsyen se ai ishte zënë me vëllain e tij, Dashin. Për Ndocin dhe vëllezërit Haxhia u vështirësua pak për shkak të kovidit.

Ne menduam që të bënim një nga vëllezërit që gjatë varrimit të vrisnim Ndocin, pasi menduam që do i shkonte për të 3-tat ose të 7-tat, por ky plan nuk u realizua.

Më pas kemi bërë planin për vrasjen e Besmir Haxhiajt. Kemi marrë 3 automatikë dhe një armë brezi.

Ekzekutorë do ishim unë dhe Nuredini. Nuredini donte ta bënte në një lokal bastesh, por unë nuk pranova se ishin shumë njerëz. Ai më ktheu në shtëpi, shkoi të fliste me atë që kemi pasur shofer, Klevisin. U kthye më mori dhe u nisëm. Kishim veshur veshje të OFL-së, Nuredini vuri dhe maskë silikoni. Kur kaluam me makinë pamë që ishte më vëllain dhe shoferi na tha që është me vëllain. Nuredini tha më mirë që janë bashkë. I kemi ndjekur me makinë, i hymë në parakalim se ata u bllokuan në trafik dhe i qëlluam disa herë.

Zbriti më pas Nuredini t’i qëllonte nga afër, por iu bllokua arma. Pastaj u detyrova unë të zbrisja me kallash dhe qëllova disa herë pastaj ikëm në Tiranë.

Makinën me armët i mori shoferi. Edhe për këtë ngjarje mora 35 mijë euro. Pas arrestimit të shoferit, unë u shqetësova dhe i thashë që kusho ça do bëjmë, por Nuredini më tha që mos u shqetëso.

Ai shoferi foli dhe lidhi Talo Çelën dhe Ndocin me ngjarjen, edhe u çudita, por më pas bëra lidhjen që ishte instruktuar të thoshte ashtu.

Për në Elbasan lista ka qenë e gjatë, niste me Otin, Emiljanon…

Për Emiljanon kemi biseduar se një nga këta se ka pas dhe një vëlla, ka qenë informator për fatkeqsinë që i ka ndodhur Krymit.

Për këtë ngjarje m’u ofruan 150 mijë euro. Unë zgjidhja vetë kë merrja për të kryer atentatet, sepse ishte jeta ime dhe e dija unë më kë e bëja.

Te kjo ngjarje unë përfshiva Skerdi Tasen. Informacionet i merrja nga Dumani dhe miqtë e Krymit.

Ditën e ngjarjes unë isha shofer, Skerdi do të qëllonte. Skerdi doli me dy pistoleta, i kam thënë nëse do të të ik, mos e lërë të ngjitet në shtëpi, por sille ketej nga unë.

Po ta vësh re në video, kur zbret Tase unë eci pak para me makinë dhe kam mbushur automatikun që të isha gati, por nuk qe nevoja se Skerdi e bëri.

Pas vrasjes, makinën e ka djegur Skerdi dhe të dy kemi ardhur në Tiranë. Pas 3-4 ditësh Nuredini më ka sjellë lekët”.