Në Arabinë Saudite vijon pelegrinazhi më i madh i Haxhit që nga fillimi i pandemisë. Me qindra mijëra adhurues rrethuan vendin më të shenjtë të Islamit në Mekë. Autoritetet kanë lejuar rreth një milion pelegrinë në Haxhin e këtij viti, pas kufizimeve për shkak të pandemisë.
Rreth 1 milion myslimanë po vizitojnë Mekën në Arabinë Saudite, për Haxhin e parë që kur pandemia i shtyu autoritetet të kufizojnë hyrjen në vendin më të shenjtë në Islam.
Autoritetet saudite kanë lejuar 850,000 vizitorë nga jashtë për pelegrinazhin vjetor, një hap i madh drejt normalitetit pas kufizimeve të pandemisë.
Numri 1 milion i pelegrinëve nga Arabia Saudite dhe jashtë saj është ende dukshëm më i vogël se shifra prej 2.5 milionë e atyre që udhëtuan në qytetin e shenjtë në vitin 2019. Haxhi konsiderohet si një nga ngjarjet më të mëdha në botë për sa i përket numrit të pjesëmarrësve.
Arabia Saudite tani lejon edhe gratë të marrin pjesë në haxh të pashoqëruara nga të afërm meshkuj, një kërkesë që u hoq vitin e kaluar ndërsa sfida më e madhe mbeten temperaturat deri në 42 gradë Celsius.
“Të jesh këtu është gjëja më e mirë që më ka ndodhur ndonjëherë. Mezi pres për pjesën tjetër,” tha pelegrinja egjiptiane 42-vjeçare Naima Mohsen, e cila erdhi vetë në Xhaminë e Madhe këtë javë. “Problemi im i vetëm është moti. Është shumë vapë.”
Për të shkuar në Haxh këtë vit, pelegrinët duhet të jenë nën 65 vjeç dhe të vaksinuar kundër virusit, si dhe të kenë rezultuar negativ për COVID-19 brenda 72 orëve nga udhëtimi. Ndalimet për prekjen ose puthjen e Qabes, gurit të zi në qendër të vendit të shenjtë në Mekë, do të mbeten.
Gjatë Haxhit, myslimanët rrethojnë dhe luten rreth strukturës së madhe kubike të mbështjellë me pëlhurë të zezë të qëndisur me ar, në një ritual të njohur si “tavaf”. Sipas Kuranit, çdo mysliman që është i aftë fizikisht dhe financiarisht, duhet të bëjë Haxhin të paktën një herë në jetë.
Në vitin 2020, në fillim të pandemisë, autoritetet saudite lejuan vetëm 1000 njerëz që ishin tashmë banorë aty, të bënin Haxhin. Vitin e kaluar, autoritetet kufizuan Haxhin në vetëm 60,000 banorë myslimanë të Arabisë Saudite, të vaksinuar plotësisht.