Për t’u mbrojtur apo si trampolinë? Dyfishohen azilkërkuesit, 870 shqiptarë lanë shtetësinë

0
54

Për t’u mbrojtur apo për ta përdorur si një trampolinë? Më shumë shtetas kryesisht nga Lindja e mesme po kërkojnë azil në Shqipëri. Në 2023 numri i emigrantëve që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare në vendin tonë u dyfishua duke arritur në 261 gjithsej.

Sipas INSTAT referuar Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kryesonin shtetasit afganë me 161 kërkesa, sirianët me 38 kërkesa dhe irakianët me 25.

Pavarësisht kërkesave në rritje, në 2023 u dhanë 14 vendime pozitive për status të mbrojtjes plotësuese. Nga këto raste 5 u përkasin shtetasve me origjinë nga Iraku, 4 shtetasve me origjinë nga Afganistani dhe pjesa mbetur u përket shtetasve nga Siria dhe Palestina.

Ndalur te fitimi i shtetësisë shqiptare ndonëse këto grupe kanë rritur kërkesat, janë kosovarët ata të cilët ka qenë përfituesit më të shumtë në 2023, pasuar nga Turqit, Sirianët e Maqedonasit. 1 mijë e 382 persona arritën të merrnin pasaportën shqiptare një vit më parë.

Ndonëse më shumë shtetas duan të shpërngulen në Shqipëri, nga ana tjetër më shumë shqiptarë po lënë shtetësinë vitet e fundit.

870 persona hoqën dorë nga pasaporta shqiptare për të mbajtur atë të një vendi tjetër. Janë femrat që dominojnë në më shumë se gjysmën e rasteve, pasuar më tej nga meshkujt. Në 5 vitet e fundit ky fenomen është rritur me 34%.