Përballja Serbi-Shqipëri/ FIFA vendos të mbyllë pjesërisht stadiumin për ndeshjen

0
2

SERBI-Siç thuhet, e goditën me pambuk. Edhe vetë mediat serbe prisnin mbyllje të plotë të stadiumit për ndeshjen ndaj Shqipërisë në 11 tetor, por FIFA u tregua e mëshirshme.

Vendimi I drejtuesve të futbollit botëror është që Serbia do ta presë kombëtaren kuqezi me vetëm 20 për qind tifozë më pak në stadiumin e “Dubocicës” në Leskovac.

Nga 8 100 vende kapacitet që ka impianti I ndërtuar pak vite më parë, të pranishëm do të lejohen 6 500.

Pëvreç kësaj, Federata Serbe e Futbollit u ndëshkua nga FIFA me një gjobë prej 80 000 frangash zvicerane.

Ky vendim erdhi për shkak të incidenteve në sfidën ndaj Anglisë në Beograd, ku një lojtari anglez iu drejtua rreze lazer, pati përplasje mes tifozëve, si dhe thirrje e simbole nacionaliste.

FIFA shkruajti në komunikatën e saj për dënimin se ndëshkimi erdhi për shkak të mossigurimit të rregullit dhe sigurisë brenda dhe jashtë stadiumit “Rajko Mitic”, përdorimit të lazerit, pengimit gjatë ekzekutimit të himneve kombëtare dhe sjelljes  diskriminuese të disa tifozëve.

Gjithsesi, Federata Serbe shpreson që stadiumin “Dubocica” ta ketë plot në 11 tetor, sepse do t’i bëjë kërkesë FIFA-s që ta lejojë që 20 përqindëshin e tribunave të mbyllur për tifozët, ta mbushë me familjarë, nxënës dhe pjesëtarë të organizatave që luftojnë ndaj diskriminimit.

Pritej që Serbia të ndëshkohej me mbyllje të plotë të stadiumit, pasi ndodhej nën dënim me kusht dhe pati mbyllje të pjesshme të stadiumit ndaj Anglisë, me 15 për qind spektatorë më pak.

/abcnews.al