Përdhunoi të renë shtatzënë gjatë luftës në Kosovë, rikonfirmohet dënimi me 10 vite burg për ish-policin serb

0
105

Ish-rezervisti i policisë serbe, Zoran Vukotiç i është konfirmuar dënimi prej 10 vitesh burgim pasi është shpallur fajtor për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky vendim u mor ditën e sotme nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Zoran Vukotiç u dënua më 5 korrik me 10 vjet burgim, duke regjistruar në këtë mënyrë rastin e parë e parë që dikush dënohej për një krim të tillë në Kosovë, nga gjykatat vendore, por pas vendimit, çështja ishte kthyer në rigjykim.

Viktima e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishte shtatzënë 3 muajshe në kohë kur u dhunua seksualisht nga Zoran Vukotiç. Pas përfundimit te luftës, si shkak i gjendjes së rëndë, abortoi në muajin e shtatë.

“Kam filluar të qaj, por prapë se prapë e kam mbajtur veten, ajo krenaria që nuk kam dashur ai me më pa me lot, edhe të dijë ai që unë aq shumë po vuaj. Sa që ai ka provuar kinse po ndihem keq. Po unë asnjëherë nuk jam kthyer ta shikoj fytyrën e tij, të kriminelit, i cili më kujtohej sikur atë ditë, sikur para 21 viteve. Unë gjatë luftës kam qenë shtatzënë tremuajshe, në kohën kur më ka ndodhur akti. Pas përfundimit në shtator, i kam humbur dy djem. Edhe e di se më ka ardhur ajo fuqi aty edhe i kam thënë ‘unë i kam humb dy djem shkaku yt, por falë Zotit e kam një luan 20 vjeçar, mos mendo që ma ke tha shpirtin’”, ka thënë B.K në rrëfimin e saj.