Përdorimi i medikamenteve për dobësim, mjekët: Marrja e “Ozempic” nga të rinjtë, pasoja negative në shëndet

0
12

Nga një medikament për trajtimin e diabetit tip 2, në një trend shqetësues, Ozempic po përdoret masivisht nga të rinjtë për rënie të shpejtë në peshë. Përdorimi i këtij medikamenti pa konsultë me mjekun specialist mund të sjellë një sërë efektesh negative në shëndet.

“Efektet anësore fillojnë që nga më të thjeshtat: të vjella, të përziera, nauze, lodhje, por mund të shkojnë deri tek më të rëndat, deri në stimulim të kancerave të caktuar të organizmit. Mund të japë dëmtime të rënda të pankreasit, dëmtime të strukturës trupore, sepse shpeshherë kur bie në peshë, individi humbet edhe masë muskulare, që është dëmi më i madh që mund t’i bëhet individit,” mjek endokrinolog, Dashamir Gjergji.

Por cilat janë arsyet që kanë çuar në përdorimin kaq masiv të këtij medikamenti?

“Shtysa bazë përse ka ardhur përdorimi kaq masiv është se, meqënëse është një medikament për diabetin dhe kur është përdorur tek personat diabetikë që kanë qenë mbipeshë dhe obezë, është parë që këto të sëmurë jo vetëm kanë qenë mirë me shifrat e sheqerit, por kanë humbur dhe peshën trupore. Në të njëjtën kohë, kjo ka bërë zili tek pjesa e të tjerëve që kanë qenë mbipeshë, por jo diabetikë, dhe ata e kanë parë të arsyeshme ta përdorin.”

Bluzat e bardha këshillojnë që një medikament i tillë të mos përdoret pa u konsultuar më parë me mjekun, pasi vetëm ai mund të gjykojë nëse është i nevojshëm përdorimi i tij, si duhet marrë dhe me cilat medikamente duhet kombinuar.

/vizionplus.tv

GEAR Sh.p.k