Trëndafili i egër është një bimë, që rritet në shkurre dhe vlerat e tij në kurimin e sëmundjeve janë të pallogaritshme. Në mjekësinë popullore pjesët që ndihmojnë në lehtësimin e sëmundjeve janë gjethet dhe frutet, që përftohen pas tharjes së luleve. Trëndafili i egër është një ndër bimët medicinale më të çmuara për nga vlerat e forta shëndetësore dhe Shqipëria është një nga vendet e bekuara me këtë super bimë, të pasur me vitamina, sidomos vitaminë C, acide yndyrore, antioksidantë e shumë elementë të tjerë të rëndësishëm. Në “Bima dhe Shëndeti” në emisionin “Rreze Dielli” specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja, tregon sesi duhet të përdorimin trëndafilin e egër në dozën e duhur në trajtimin e një sërë problematikash shëndetësore si artriti, ekzema, hemorroidet, forcimin imunitar, reumatizëm, dermatologji, çrregullime në tretje e jashtëqitje e shumë të tjerë.
- “Trëndafili i egër ka një potencial të madh vlerash, vetitë e tij antiinflamatore, antitumoriale, antioksidante, antidepresive dhe neuroprotektive dhe përbërësit kimikë të frutit si karotenoidet, triterpenet, flavonoidet, taninet, vitaminat, acidet yndyrore dhe minerale si kalcium, hekur, magnez, fosfor, potas e zink, bëjnë që trëndafili i egër të zërë një vend nderi në trajtimin e një sërë problematikash shëndetësore” thekson Ylli Merja në fillim të bisedës, duke vijuar “Vitamina C që përmban trëndafili i egër është në një dozë shumë të lartë, në 100 gr frut gjenden 450-1000 mg. Farat e trëndafilit të egër rregullojnë mikrobiomën e zorrëve, rrisin prodhimin e lëndëve ushqyese, përmirësojnë funksionin e mëlçisë, pastrojnë rrugët biliare, pastrojnë enët e qarkullimit të gjakut si dhe qetësojnë dhimbjet e kyçeve, ankthin dhe depresionin”.
Është shumë e rëndësishme përzgjedhja në treg e trëndafilit të egër, e cila gjendet kryesisht në kokrra, boçet e thara të trëndafilit.