Përfitoi nga skema kombëtare e mbështetjes/ Kompania në Kutalli të Beratit rrit eksportet e fruta-perimeve, shtrin tregun drejt Dubait

0
331

Kryeministri Edi Rama solli sot shembullin e suksesit të një kompanie import-eksporti të fruta-perimeve në Kutalli të Beratit, e cila falë mbështetjes që mori përmes AZHBR-së, ka rritur eksportet me jashtë duke shtrirë tregun deri në Dubai.

“Pak vite më parë gjatë rrugëtimit në dyert e fermerëve, takova vëllezërit Hatija, njerëz me dëshirë të jashtëzakonshme për sukses, me ambicie të madhe dhe punë të palodhur për të shtuar prodhimin vendas së bashku me fermerët e zonës së Kutallit në Berat”, tha Rama.

Sot, ai theksoi se, “falë dhe mbështetjes që morën nga qeveria shqiptare përmes AZHBR-së, ata kanë arritur t’i çojnë prodhimet e tyre fantastike deri në Dubai dhe në bashkëpunim me fermerët e zonës, shifrat e tyre të eksportit janë rritur në mënyrë mbresëlënëse”.

Në 26 mars 2016, Kryeministri Rama vizitoi ambientet e kompanisë “Hatija”, ku u shpreh se “kemi hapur një cikël komplet të ri për bujqësinë dhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare kemi ngritur një fond garancie”.

4 vite më vonë, falë skemës kombëtare përmes AZHBR-së biznesi përfitoi 20 milionë lekë.

“Ne i investuam këto lekë për arritjen e kapaciteteve të duhura për të përballuar tregun, sepse me atë magazinë që kishim më parë nuk arrinim të përballonim tregun. Ne eksportojmë tani deri në 600-700 kamionë fruta-perime, diku te 13 mijë tonë. Para 1 muaji kemi eksportuar në Dubai domate dhe luleshtrydhe, me kargo me avion nga Tirana”, tha përfaqësuesi i kësaj kompanie.