Një 32 vjeçar ka rënë në prangat e policisë për përfitime të shumave të mëdha nëpërmjet mashtrimit kompjuterik.
Denis Trungu, 32 vjeç, banues në Durrës, duke përfituar nga situata pandemike, kishte hapur llogari bankare për përfitimin e pagës së luftës në një bankë të nivelit të dytë. Kjo llogari ishte hapur që ky shtetas të shfrytëzonte një hapësirë që gjendej në shërbimin bankar dixhital.
“32 vjeçari kishte arritur të kryente 36 transaksione financiare me një vlerë prej 15.533.510 lekë të reja, në llogari të ndryshme të bankave të tjera të nivelit të dytë, në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Pas transferimit të shumave të ndryshme ky shtetas kryente tërheqje nga bankat ku ishin transferuar këto fonde, nëpërmjet kartave bankare ose duke u paraqitur vetë në bankë.
Gjithashtu, ky shtetas ka tentuar t’i tërheqë këto fonde dhe nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.” informon policia e Tiranës.
Mësohet se Trungu ishte një person jo i panjohur për efektivët e uniformës blu, pasi mbi të kishte edhe procedime të mëparshme penale, si:
“I dënuar me 3 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”, nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës;
I dënuar me 9 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” nga Gjykata e Shkallës së Parë Berat (aktualisht në proces në Gjykatën e Apelit Vlorë);
Aktualisht i ndaluar si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik””, njofton policia.
Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe proceduriale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”
Ora news