Detaje të reja kanë dalë në dritë nga operacioni i SPAK, BKH dhe autoriteteve italiane i cili nisi mbrëmjen e djeshme, dhe tashmë ka përfunduar.
Burime për mediat kanë bërë me dije se janë arrestuar 8 persona dhe tre vëllezër vijojnë të jenë në kërkim, ata janë Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj dhe dyshohet se janë organizatorë të kësaj veprimtarie kriminale.
Mësohet se këta persona kanë përdorur ambiente të marra me qira në dy pallate në Tiranë për të kryer këtë aktivitet.
Bëhet fjalë për një kompani “call center” që vepronte në godinën ikonike në hyrje të Rrugës “Myslym Shyri” dhe përballë Kishës Orthodhokse, përmes së cilës zhvateshin qytetarë europianë.
Në shënjestër të organeve të hetimit ka qenë pikërisht kjo qendër telefonie, e cila dyshohet se ka mashtruar me mijëra qytetarë italianë dhe të tjerë në Europë, duke u boshatisur llogaritë bankare. Ambientet e kullës kanë qenë nën mbikëqyrje të lartë policore gjithë mbrëmjen, ndërkohë që oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe kolegët e tyre italianë kontrollonin biznesin e shënjestruar.


