Data 5 mars shënoi përfundimin e Vetting-ut. 805 magjistratë dhe ndihmës ligjorë iu nënshtruan procesit të gjatë të verifikimit, të bazuar në tri kritere: atë të pastërtisë së figurës, pasurisë dhe aftësive profesionale.
Por cilat kanë qenë efektet që shkaktoi ky cikël?
“Një rritje të ndjeshme të atyre që janë stoqe të dosjeve nëpër çdo gjykatë. Mendoj që vetting-u ka sjellë, deri diku, jo risi për sistemin gjyqësor shqiptar; përkundrazi, ka sjellë regres. Dhe gjyqtarët e rinj dhe prokurorët e rinj, shpeshherë, janë jo mjaftueshëm të kualifikuar për vendimmarrjet e tyre. Një gjë që bëhet me nxitim, thotë populli, nuk del mirë, thotë populli”, Altin Kaziaj, jurist.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që është shkalla e dytë e vetting-ut, ka dhënë 417 vendime.
Megjithatë, mandati kushtetues i këtij organi përfundon në qershor të këtij viti. Përgjatë këtij harku kohor, KPA do të vijojë procesin e arsyetimit të vendimeve të mbetura, të shpallura më parë, si dhe do të shqyrtojë kërkesat e subjekteve të shkarkuara për rishikimin e vendimeve të dhëna nga Kolegji. Juristi Kaziaj thotë se, megjithë monitorimin ndërkombëtar të të gjithë procesit, besueshmëria është cenuar nga politika.
“Ka një libër: “Kush i kontrolloi kontrolluesit”. Ata janë emëruar politikisht. Nuk është çështja që ndërkombëtarët e bëjnë më të besueshëm, por ndërkombëtarët nuk marrin pasojat e një sistemi. Pasojat e një sistemi të drejtësisë shqiptare i marrin shqiptarët. Nëse deri dje vonohej një çështje deri në 2 vjet, tani po vonohet 3–4 vite. Në apel po vonohet 7–10 vjet. Nëse drejtësia nuk jepet në momentin që duhet dhënë, nuk është më një drejtësi e efektshme”, thot juristi.
Procesi i vetting-ut ka qenë një nga ndryshimet thelbësore që sistemi pësoi në vitin 2016 me reformën në drejtësi.
Aktualisht, në sistemin tonë gjyqësor ka 244 prokurorë dhe 338 gjyqtarë.
/vizionplus.tv


