Ka përfunduar regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut, i cili filloi më 5 shtator dhe u mbyll mbrëmjen e së enjtes (30 shtator).
Kreu i Shërbimit Statistikor Kombëtar të Maqedonisë Veriore, Apostol Simovski , deklaroi se 1,832,696 banorë janë regjistruar në vend , ndërsa 204,805 shtetas të tjerë t që jetojnë jashtë vendit janë regjistruar online.
Simovski tha se regjistrimi i popullsisë ishte një sukses i plotë, duke vënë në dukje se numri i personave që refuzuan të bashkëpunonin për nevojat e regjistrimit ishte i ulët.
“Regjistrimi u krye me sukses absolut. Vendi ka vërtetuar se ka aftësinë për të kryer një operacion kaq të vështirë statistikor. Regjistruesit vizituan të gjitha shtëpitë, pothuajse të gjithë qytetarët morën pjesë në proces”, shtoi ai.
Rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë pritet të shpallen deri në mars 2022.
Ishte regjistrimi i parë në vend pas gati 20 vitesh. Regjistrimin e fundit, Maqedonia e Veriut e ka bërë në vitin 2002 dhe bazuar në të dhënat zyrtare, vendi numëron afër 2 milionë banorë, prej tyre rreth 25 % shqiptarë./Ora News/