Përgatituni për Gjeneratën Z, të rinjtë shqiptarë duan paga 800 – 1200 euro

0
101

Në çdo tryezë me bashkëpunëtorë, klientë, kolegë apo miq, përballem me të njëjtin shqetësim, nuk po gjejmë punonjës të kualifikuar, po na ikën rinia. Dhe mendimi më shkon te një frazë që më thoshte një nga mentorët e mi, nëse nuk i përshtatesh brezit të ri, do përfundosh të punosh vetëm. Çdo industri, që bazohet në fuqinë njerëzore të punës, mendoj se duhet të dëgjojë zërin e gjeneratës së re. Studimet globale theksojnë se në përgjithësi, të rinjtë që i përkasin gjeneratës Z, i kushtojnë më shumë rëndësi shëndetit mendor dhe kujdesit për veten, sesa brezat e mëparshëm, janë të ndërgjegjshëm ndaj mjedisit, pëlqejnë të punojnë në mënyrë të pavarur dhe sipas kushteve të tyre, vlerësojnë fleksibilitetin në jetën profesionale dhe thelbi i tyre është kujdesi për shëndetin mendor dhe për veten.

Sjellja e gjeneratave ka përherë një kontekst lokal dhe për këtë arsye, ne në Kreston Albania, kemi zhvilluar një anketë, e cila kishte për qëllim të përcaktonte pritshmëritë dhe mënyrat e sjelljes në punë të të rinjve. Sondazhi u krye me anë të një pyetësori në internet, nga data 10 tetor deri më 30 tetor 2023, dhe mblodhi pikëpamjet e 230 personave të moshës 16 deri në 21 vjeç, shumica e të cilëve ishin nxënës në shkollat profesionale dhe studentë në universitetet në të gjithë Shqipërinë.

Pagat që duan të rinjtë

Gjetjet e anketës nxjerrin në pah disa karakteristika të ngjashme me mënyrën globale të sjelljes së gjeneratës Z. Shpërblimi monetar mbetet kriteri më i rëndësishëm për të zgjedhur një vend pune, fakt që lidhet me pavarësinë financiare, që është edhe kriteri dallues i të rinjve të gjeneratës Z. Shumica e të anketuarve, 25%, presin që niveli i pagave bruto gjatë programeve të praktikës të jetë në intervalin 700 – 1000 euro dhe në vitin e parë, nivelet e pagave të jenë në intervalin 800 – 1200 euro. Këtë nivel page e kanë kërkuar 27% të të anketuarve.

Duke pasur parasysh edhe normat e rritjes së pagave, pavarësisht arritjes së objektivave, biznesi duhet të përshtasë operacionet dhe politikat e çmimit të saj me qëllim që të përmbushë pritshmëritë e të punësuarve të ardhshëm. Pritshmëritë e të rinjve ndikohen edhe nga qasja që ka pasur administrata publike lidhur me politikat e përcaktimit të pagave në sektorin publik. Përgjigjet e anketës nxjerrin në pah që të rinjtë kanë përparësi të punojnë dhe bashkëpunojnë me kompani, të cilat kanë rritje të ndikimit në ekosistem, më shumë sesa në kompani që thjesht ofrojnë stabilitet financiar. Kjo nxjerr edhe një herë në pah që gjenerata Z ka përparësi praktikat e zhvillimit të qëndrueshëm.

dhe objektiva afatshkurtra, duke i dhënë mundësinë që të përfitojnë zhvillim profesional të vazhdueshëm në disa fusha. Këto rezultate i dërgojnë sinjale biznesit, që duhet të ngrenë programe të strukturuara që lehtësojnë rotacionet mes funksioneve dhe departamenteve, duke krijuar një mjedis pune pozitiv dhe dinamik, i cili përputhet me pritshmëritë në zhvillim të punonjësve.

Pavarësia financiare mbetet prioriteti më i lartë i renditur në objektivat e karrierës së 88% të njerëzve tanë të anketuar. Po si duhet ne si menaxherë të përshtatemi për të përmbushur pritshmëritë e të rinjve? Ka disa elemente që në gjykimin tim ndihmojnë në një marrëdhënie të mirë me to. Së pari, duhet të aftësohen për kryerjen e aktiviteteve komplekse, nëpërmjet zhvillimit dhe edukimit brenda organizatës dhe duhen mbështetur në rastet kur duan të kenë rotacion brenda organizatës në funksione të tjera. Së dyti, kompanitë duhet të krijojnë strategji që rrisin ndikimin e tyre në mbrojtjen e mjedisit, ndikimin social dhe mirëqeverisjen.

Kjo pasi gjenerata Z ka një preferencë ndaj kompanive që kanë ndikim dhe që japin mundësi për eksperienca ndërkombëtare. Së treti, ekuilibri punë – jetë dhe pavarësia financiare vazhdojnë të jenë përcaktues në vendimmarrjen për të vazhduar marrëdhënien e punës. Në kushtet e uljes së konsumit dhe rritjes së inflacionit, rritja e kostos së pagave do ketë ndikim të qenësishëm në performancën e biznesit. Pavarësisht kësaj, harmonizimi i nivelit të pagave me nevojat e punëmarrësve është kusht thelbësor për qëndrueshmërinë e punonjësve dhe faktor përcaktues në ofrimin e mundësive në vend për të rinjtë./ Monitor