Koha e pajisjes me dokumente identifikimi për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të përgjysmohet. Kjo u konfirmua nga Administratorja e Kompanisë shtetërorë të prodhimit të dokumenteve IdentiTek, gjatë një vizite që ministri i Brendshëm Ervin Hoxha zhvilloi në ambientet e kompanisë. Risia e dytë është ofrimi i mundësive për aplikim përmes zyrave të lëvizshme në qytetet ku jetojnë.
“IdentiTek ka marrë dy iniciativa shumë të rëndësishme në këtë aspekt, e para është përgjysmimi i kohës që ne do të na duhet për të prodhuar këto dokumente të identifikimit. Kemi zhvilluar një modul të ri teknologjik, i cili do të jetë në shërbim të qytetarëve duke nisur nga ky muaj, i cili bën përgjysmimin e kohës së nevojshme. Pra, qytetarët tanë të diasporës do të mund të marrin dokumentet e identifikimit jo më për 30 ditë, por për 15 ditë. Përveç kësaj kemi nisur proceset për të vizituar ambasadat dhe konsullatat me fluks më të lartë të diasporës për t’u siguruar që çdo proces të kalojë në mënyrë të lehtë ashtu si edhe t’i paraprijmë çdo problematike qe mund të kemi në të ardhmen”, shpjegoi Administratorja e IdentiTek, Freskida Halilaj.