Një fermë e pulave është vënë në karantinë dhe 68 të tjera janë nën kontrolle të rrepta si pasojë e përhapjes së gripit të shpendëve. Ministria e Bujqësisë ka bërë të ditur se janë asgjësuar pulat dhe vezët e infektuara, ndërsa vazhdon ndalimi i importit
Ministria e Bujqësisë ka konfirmuar një tjetër vatër të gripit të shpendëve. Bëhet fjalë për një fermë të shpendëve në Rrashbull të Durrësit që tashmë është vendosur në karantinë
Pas konstatimit bëhet e ditur se nisi asgjësimi i shpendëve dhe vezëve të infektuara, ndërsa 68 fermat e mbarështimit në vend janë njoftuar të rrisin masat e bio-sigurisë për rritjen e vigjilencës dhe monitorimin e situatës.
Ministria shprehet se në rast të konstatimit të virusit do të duhet të njoftohen menjëherë ekipet e emergjencës.
Më herët është vendosur edhe ndalimi i importit të shpendëve, vezëve dhe nënprodukteve të tyre nga 9 shtete të prekura., si Çekia, Polonia, Belgjika, Bullgaria, Gjermania, Hungaria, Moldavia, Italia dhe Bosnje-Hercegovina.
Rastet e influencës aviare, sipas publikimeve nga Ministria e Bujqësisë, kanë nisur prej vitit të shkuar.
Deri më tani zonat e vendosura në karantinë janë në Zall Herr, Nartë, Paskuqan dhe në Lagunën e Karavastasë.