Politikat e përjashtimit nga taksat në afatgjatë stimulojnë vetëpunësimin fals. Niveli i tatimfitimit duhet të jetë njëlloj për të gjithë dhe nuk duhet të ketë lidhje me xhiron. Biznese me xhiro të ndryshme, por me fitim të njëjtë, mund të paguajnë në mënyrë të pabarabarte
Në vitin 2015
Turi, me profesion jurist, ishte i punësuar në një nga kompanitë e mëdha në fushën e tregtisë në Tiranë. Me një përvojë disavjeçare, paga e tij bruto në këtë kompani ishte 180.000 lekë në muaj.
Kur mori vesh që biznesi i vogël, me xhiro deri në 5 milionë lekë në vit u përjashtua nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin, Turi si dhe shumë të tjerë me profesion jurist, ekonomist, inxhinier, etj., u larguan nga listë-pagesat e kompanisë ku punonin dhe u regjistruan si persona fizikë. Natyra e punës dhe vlera e shpërblimit nuk ndryshoi, por në vend të pagës filluan të kryenin faturime ndaj kompanisë.
Përfitimi ishte i ndjeshëm për Turin dhe kolegët e tij. Tatimet dhe kontributet për sigurime, që duhet të paguante nga 20% e pagës kur ishte i punësuar, u ulën në vetëm 4% si person fizik.
Në vitin 2020
Genci, vendosi të hapte edhe ai një aktivitet shërbimesh në vitin 2018 dhe realizonte një xhiro 10 milionë lekë dhe fitonte (para tatimit) 2 milionë lekë. Në vitin 2019, Genci dhe Turi bashkojnë bizneset në një të vetëm dhe arrijnë të realizojnë një xhiro vjetore 15 milionë lekë, me fitim 3 milionë lekë. Për të kursyer 10% tatimfitimi, ata nuk faturojnë 1 milion lekë, duke qëndruar në fashën e bizneseve me xhiro deri në 14 milionë lekë.
Në vitin 2020, Turi dhe Genci vazhduan të rrisin biznesin e tyre, duke realizuar një xhiro 20 milionë. Megjithatë, për shkak të shpenzimeve për kualifikimin e punonjësve dhe teknologji të reja, fitimi i tyre ngeli 2 milionë lekë. Por klientët vlerësonin cilësinë e shërbimeve që ata ofronin.
Sapo morën vesh që përjashtimi nga tatimfitimi do të përfshijë gjithë bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë në vit, Turi dhe Genci vendosin ta ndajnë kompaninë e tyre në dy të tilla. Fitimet e tyre do të ngelen njëlloj, por barra tatimore do të ulet në zero.
Përfitimi do të jetë i ndjeshëm. Tatimi që duhet të paguajnë nga 15% do të ulet në zero. Turi dhe Genci ishin shumë krenarë për atë që kishin arritur dhe kaluan një sezon të këndshëm pushimesh, duke vozitur në lumenjtë e vendit me kursimet nga tatimfitimi.
Por vitet në vazhdim, Turi dhe Genci pësuan disa humbje që nuk i kishin parashikuar:
- disa klientë të rëndësishëm u larguan pasi kompanitë e secilit prej tyre ishin shumë të vogla për t’u ofruar shërbime cilësore;
- asnjëri prej tyre, veç e veç, nuk kishte më mundësi të investonte në teknologji të reja dhe kualifikimin e personelit;
- si rezultat, edhe disa nga punonjësit e kualifikuar u larguan në kompani më të mëdha.
Çfarë mësojmë nga kjo histori:
1-politikat e përjashtimit nga taksat në afatgjatë stimulojnë vetëpunësimin fals;
2-që niveli i tatimfitimit duhet të jetë njëlloj për të gjithë dhe nuk duhet të ketë lidhje me xhiron;
3-që biznese me xhiro të ndryshme, por me fitim të njëjtë, mund të paguajnë në mënyrë të pabarabartë;
4-që shumë biznese, afër kufirit të xhiros, do të përpiqen të mbeten në fashën e përjashtimit nga tatimfitimi (evazion ose shtyrje në kohë e faturimit);
5-që shumë biznese që janë afër dyfishit të kufirit të xhiros do të konsiderojnë të ndahen në dy të tilla apo më shumë;
6-që kjo politikë fiskale nuk stimulon rritjen e biznesit;
7-që kjo politikë fiskale indirekt do të dëmtojë në afatgjatë inovacionin dhe rritjen në kualifikim të fuqisë punëtore.
Monitor