Përjashtohet nga Policia e Shtetit një punonjës, nis hetimi i thelluar disiplinor për sistemin drejtues në Komisariatin Nr. 4

0
52

Policia e Shtetit ka përjashtuar nga radhët e saj Kastriot Palushin, i cilu u arrestua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën akuzat “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Efektivi është arrestuar në flagrancë pasi dyshohet se i ka kërkuar një qytetari 50 mijë lekë për ta lehtësuar këtë të fundit nga një kallëzim ndaj tij.

Qytetari ishte kallëzuar nga një grua për kanosje dhe efektivi Palushi i kishte kërkuar para qytetarit që të shmangte hetimet dhe përgjegjësitë penale.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, kërkoi nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, kryerjen e një hetimi të thelluar disiplinor, jo vetëm për punonjësin e policisë, por për të gjithë sistemin drejtues të Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë.

“Duhet të evidentohet shumë qartë, me një punë të shpejtë dhe profesionale, e gjithë përgjegjësia e linjës drejtuese për sa i përket rastit konkret, duke marrë masat përkatëse. Drejtuesit e strukturave ngarkohen me përgjegjësi direkte për veprimet e tyre dhe të vartësve, ndaj kërkoj një verifikim të plotë të rastit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë”, u shpreh Rrumbullaku./abcnews.al