Përkeqësohet moti, Vlora përfshihet nga stuhi ere

0
2

Sikurse u paralajmërua një ditë më parë nga Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU) moti në vendin tonë është përkeqësuar. Vlora është përfshirë mëngjesin e kësaj të hëne (17 nëntor) nga stuhi ere, ndërsa pritet të nisin reshjet e shiut.

Për shkak të përkeqësimit të kushteve të motit, autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes dhe të shmangin situatat problematike.

Ndërkohë lundrimi detar për mjetet e vogla, anijet e peshkimit dhe tragetet kanë pezulluar punën, ndërsa shumë prej bizneseve në Lungomaren e Vlorës kanë mbyllur dyert për shkak të stuhisë së erës.

Një ditë më parë, ministria e Mbrojtjes shpërndau njoftimin e Institutit të Gjeoshkencave dhe SHMU-së, se kjo javë do të shoqërohet nga reshje me intensitet të lartë në të gjitha qarqet e vendit, të shoqëruara me shtrëngata dhe në zona të caktuara me reshje dëbore.