Përleshje masive dhe 17 kartona të kuq, fusha e futbollit në Bolivi kthehet në arenë boksi

0
2

Ndeshja çerekfinale e Kupës së Bolivisë midis Real Oruro dhe Blooming përfundoi me një përleshje masive mes futbollistëve dhe stafeve, teksa arbitri u detyrua të akordonte 17 kartona të kuq.

Ndeshja e tre ditëve më parë në Oruro përfundoi 2-2, teksa ishin miqtë e Bloomimg që kaluan më tej pas fitores 2-1 në ndeshjen e parë. Pas fërshëllimës finale, vendasit nuk e kanë kapërdirë eliminimin.

Ngacmime ka pasur nga të dyja stafet, ndërsa përleshja në fushë u zhvendos pas njërës portë. Në pamje duken qartë grushtat, shkelmat dhe sherri masiv në fushë, ndërsa nuk ndodh shpesh që arbitri të akordojë 17 kartona të kuq në një ndeshje, kjo për futbollistët dhe stafin.

Aq e rëndë ishte ngjarja, sa policisë iu desh të ndërhyte me gaz lotsjellës për të qetësuar situatën. Disa persona kanë pësuar lëndime dhe zhvillimet do jenë në fokusin e autoriteteve, si dhe të Federatës së Futbollit të Bolivisë.