Përmbyset kamioni që po i transportonte, 250 milionë bletë pushtojnë rrugët në SHBA

0
2

Rreth 250 milionë bletë dolën nga kosheret e tyre dhe u përhapën në ajër, pasi një kamion që po transportonte mijëra koshere aktive me bletë u përmbys në shtetin amerikan të Uashingtonit, pranë kufirit me Kanadanë.

Autoritetet lokale u detyruan të mbyllnin rrugën ku ndodhi aksidenti dhe lëshuan një paralajmërim urgjent për qytetarët që të shmangin zonën, për shkak të rrezikut nga pickimet masive.

Qëllimi ynë është të shpëtojmë sa më shumë bletë të jetë e mundur,” – thuhej në një deklaratë të Zyrës së Sherifit të qarkut.

Në vendngjarje mbërritën dhjetëra bletërritës profesionistë, të cilët u bashkuan me ekipet e emergjencës për të kontrolluar situatën dhe për të rikthyer bletët në kosheret e tyre.

Sipas autoriteteve, plani është që bletët të orientohen vetë drejt mbretëreshës së tyre dhe të rifuten në kosheret, proces që pritet të zgjasë 24 deri në 48 orë.

Në një përditësim në rrjetet sociale, Policia falënderoi “komunitetin e mrekullueshëm të bletërritësve” – më shumë se dy duzina u ofruan për të ndihmuar.

“Pritet që deri në mëngjesin e së nesërmes, shumica e bletëve të jenë kthyer në kosheret e tyre,” – njoftoi zyra e Sherifit në Facebook.

Pamjet e ndara nga autoritetet treguan një re të dendur bletësh që rrethonte kamionin e përmbysur, duke krijuar frikë për qytetarët në zonë.