
- Elbasani përmbys Tiranën dhe fiton 2-1, në ndeshjen e fundit të kësaj xhiroje në Superiore.
Në “Elbasan Arena”, ndeshja filloi me ritëm të lartë, me të dy skuadrat që e nisën në sulm. Bardheblutë kaluan në epërsi pas 11 minutash lojë. Përgjoni përfitoi në maksimum nga një rrëmujë në zonë dhe nga fare pranë, ia doli që të dërgojë topin në rrjetë.
Elbasani provon të reagojë dhe e bën diçka të tillë, duke paralajmëruar kryeqytetasit. Në minutën e 28-të, Olberkis godet me kokë por nuk tregohet i saktë, edhe pse portieri Selmani kishte “boshatisur” portën.
Për golin e barazimit duhet të vinte minuta e 72-të. Një harkim perfekt i Lilës gjen Qosen, i cili koordinohet si duhet dhe realizon me kokë.
Në minutat shtesë Qose kompleton dopietën duke përmbysur sfidën.
Me këtë rezultat, Tirana është në vendin e fundit me 32 pikë. Takimi i radhës për ekipin e Shkëmbit është derbi ndaj Partizanit.
Në krahun tjetër, Elbasani është në vendin e pestë me 43 pikë dhe do përballet me Egnatian në Rrogozhinë.
