Përmbytje masive në Meksikë, raportohen 16 viktima

0
2

Të paktën 23 persona kanë humbur jetën në Meksikë deri në fund të javës që lamë pas, si pasojë e reshjeve të dendura që përfshinë thuajse gjithë vendin, njoftuan autoritetet.

Sipas Shërbimit të Mbrojtjes Civile të Meksikës, reshje intensive janë regjistruar në 31 nga 32 shtetet e vendit. Zonat më të goditura janë shteti i Verakruzit në lindje, Querétaro dhe Hidalgo në qendër, si dhe San Luis Potosí në veri-qendër të vendit.

Në shtetin Hidalgo janë raportuar 16 viktima dhe janë dëmtuar rreth 1 mijë banesa. Pesë persona kanë humbur jetën në shtetin Puebla, ndërsa 11 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Në shtetin e Verakruzit ka humbur jetën një fëmijë, ndërsa në Querétaro një oficer policie. Koordinatorja kombëtare e Mbrojtjes Civile, Laura Velázquez, bëri me dije se në disa zona janë regjistruar rrëshqitje dheu, përmbytje të lumenjve dhe shembje rrugësh.

Pas një takimi me zyrtarë lokalë dhe anëtarë të kabinetit të saj, presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se autoritetet janë duke punuar për të ndihmuar popullsinë, për të rihapur rrugët dhe për të rikthyer energjinë elektrike.

Ushtria është angazhuar në shpërndarjen e ndihmave në zonat e përmbytura, me mbi 5 mijë e 400 trupa të vendosur në terren, së bashku me pajisje shpëtimi dhe mjete të specializuara.

Janë hapur gjithashtu qendra strehimi për banorët e evakuuar nga shtëpitë e tyre. Viti 2025 ka shënuar reshje të jashtëzakonshme në Meksikë, me rekorde të reshjeve të shiut të vendosura në kryeqytetin Meksiko Siti.

Ndërkohë, stuhia tropikale Raymond ndodhej të shtunën në brigjet e Paqësorit dhe po sillte reshje të mëdha ndërsa lëvizte drejt veriut. Dëme nga kjo stuhi janë raportuar në shtetet Chiapas, Guerrero, Oaxaca dhe Michoacán.

Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve të SHBA-së, stuhia pritet të godasë jugun e gadishullit Baja California gjatë fundjavës.