Përmbytje të tjera në Berat, lumi Seman del nga shtrati dhe shkatërron prodhimet bujqësore

0
2

Përmbyten përsëri tokat në Goriçan të Beratit.

Dalja e lumit Seman ka alarmuar banorët të cilët thonë se kjo është hera e katërt që ata janë nën ujë. Që prej nëntorit të vitit të kaluar sipërfaqet bujqësore, serrat diellore dhe stanet e bagëtive janë të përmbytura.

Fermerët nuk po arrijnë dot të mbjellin për sezonin ndërsa prodhimi që ishte gati për treg u kalb.

Banorët e Goriçanit thonë se i ka përmbytur uji që erdhi si pasojë e hapjes së digës së HEC-it të Moglicës. Niveli i ujërave të lumit Seman u ngrit mbi argjinaturën tre ditë më parë dhe mbrëmjen e djeshme ato përmbytën zonën.

Një përfaqësi nga prefektura Berat dhe Bashkia Dimal ishin në Goriçan në zonën e përmbytur për të parë nga afër situatën. Sipas tyre, do të bëhet një studim i zonës për t’i paraprirë investimit afatgjatë, ndërsa për dëmshpërblim lista me emrat e të dëmtuarve do t’i dërgohet ministrisë së bujqësisë.

Banorët kërkojnë dëmshpërblim pasi janë të zhytur në borxhe dhe nuk kanë mundësi për të ringritur ekonominë bujqësore.

Ardit Murataj