25 ha sipërfaqe toke e kultivuar në serat me luleshtrydhe të fermerëve të Kafaraj, në njësinë administrative Frakull, janë nën ujë nga dalja nga shtrati e lumit Vjosë.
Përmbytjet kanë dëmtuar rreth 60 kultivues të cilët pohojnë se uji në sera ka arritur në nivelin e dy metrave, si asnjëherë më parë teksa theksojnë se luleshtrydhja tashmë është në fazën e prodhimit te saj.
Kjo është situatë e përsëritur thonë fermerët e dëmtuar teksa pohojnë se nuk janë dëmshpërblyer asnjëherë përveçse në përmbytjet e herës së parë në vitin 2015, kur janë dëmshpërblyer me 10% të dëmit që kanë pësuar.
Ata pohojnë të indinjuar, teksa ndodhen në situatë katastrofike , askush nuk ka dalë në terren për të parë nga afër situatën e tyre.
Sipas fermerëve dëmet janë të pallogaritshme në një kohë kur ekonomia e tyre familjare është e bazuar te të ardhurat nga kjo kulturë. Ne po përpiqemi të shpëtojmë bimën thonë fermerët , pasi prodhimi është shkatërruar plotësisht teksa njëzëri apelojnë për ndihmë nga shteti pasi në të kundërt do të shkojnë drejt falimentimit.


