Një operacion intensiv kërkim-shpëtimi vijon të në Teksasin qendror, ku rreth dy duzina persona rezultojnë ende të zhdukur pas përmbytjeve të menjëhershme që goditën zonën në fillim të fundjavës së Pavarësisë së SHBA-ve, duke shkaktuar të paktën 24 viktima dhe duke detyruar shpëtimin e qindra banorëve.
Ndër të zhdukurit janë edhe 23 deri në 25 vajza të reja nga Camp Mystic, një kamp veror i krishterë për vajza, me një histori mbi 100-vjeçare. Përmbytjet përfshinë zonën pranë lumit Guadalupe, rreth 137 kilometra në veriperëndim të San Antonios, ku u shpëtuan më shumë se 230 persona – mbi 100 prej tyre me helikopterë. Autoritetet raportojnë se niveli i ujit në lumë është rritur me 29 këmbë (rreth 9 metra) për një kohë shumë të shkurtër, duke kapur banorët në befasi.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), rreziku i menjëhershëm nga përmbytjet në Kerr County, në rajonin kodrinor të Teksasit jug-qendror, është zbehur, ndërsa reshjet ekstreme të së premtes në mëngjes lanë pas deri në 30 cm shi në disa zona. Megjithatë, paralajmërimi për përmbytje mbetet në fuqi deri në orën 19:00 të së shtunës për zonën mes San Antonios dhe Austin-it, me reshje të shpërndara të parashikuara gjatë gjithë ditës.