Presidenti i SHBA Donald Trump nënshkroi të martën një urdhër ekzekutiv për disa reforma policore, duke thënë se do të inkurajojë departamentet e policisë që “të miratojnë standardet më të larta profesionale për t’u shërbyer komuniteteve të tyre”.
“Ne duhet të përmirësojmë përgjegjshmërinë, të rrisim transparencën dhe të investojmë më shumë burime për trajnimin dhe rekrutimin policor si dhe për angazhimin e komunitetit,” tha Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë, raporton VOA.
Në deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet: “Ky Urdhër Ekzekutiv historik u siguron agjencive të zbatimit të ligjit në të gjithë vendin burimet e nevojshme për të zbatuar praktikat më të mira dhe për të mbrojtur komunitetet ku ata shërbejnë, duke siguruar stimuj për të përdorur një bazë të re të dhënash mbarëkombëtare, e cila do të gjurmojë shkarkimet, dënimet penale dhe gjykimet civile kundër oficerëve ligjzbatues për përdorim të tepërt të forcës.”
Edhe në Kongres po shqyrtohen reforma të mëdha për policinë e vendit.
Komisioni i Senatit për Gjyqësorin zhvilloi të martën një seancë me dëshmi nga zyrtarë të zbatimit të ligjit dhe ata të të drejtave civile.
Shumica republikane e Senatit po harton paketën e saj të propozimeve, e cila përfshin një ndalim të teknikës së shtrëngimit të qafës dhe një përdorim të shtuar të kamerave trupore nga policia.
Udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell e quajti legjislacionin “një propozim serioz për reformimin e sistemit ligjzbatues.”
Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer tha se përpjekjet republikane nuk shkojnë aq larg sa duhet, dhe se “tani është koha për të kërkuar ndryshime të guximshme dhe në shkallë të gjerë.”
Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët pritet të votojë këtë muaj për paketën e saj, që përfshin një dispozitë e cila do të lehtësonte ngritjen e padive civile kundër oficerëve që shkelin të drejtat e dikujt.
Shtëpia e Bardhë ka sinjalizuar se Presidenti Donald Trump nuk mbështet dhënien fund të asaj që njihet si doktrinë e imunitetit me kushte për oficerët e policisë.
VOA