Një efektiv i policisë rrugore u aksidentua një ditë më parë nga një mjet në zonën e Freskut. Gazetarja Bleona Sari raporton se, sipas burimeve, ai ka marrë plagë të konsiderueshme dhe disa thyerje në trup.
Sipas dëshmisë së kolegëve të tij në momentin e ngjarjes, drejtuesi i mjetit Isniq Nokshiqi, 36 vjeç, me origjinë nga Tropoja, ka ndaluar mjetin pak metra larg patrullës.
Efektivët i kanë kërkuar të largohet dhe të lëvizë mjetin por ai nuk ka pranuar dhe u është kthyer me tone të ashpra policëve, duke i sharë dhe ofenduar.
Në momentin që njëri prej policëve ka qenë para makinës, i ka dhënë gaz dhe e ka marrë para për disa metra, duke i rrezikuar jetën. Pak pas ngjarjes ai është larguar nga vendi i ngjarjes por është arrestuar nga efektivët e komisariatit 4 disa orë pas ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të ditës së djeshme, për aksidentin e ndodhur në Fresk, ku për pasojë mbeti i dëmtuar 1 punonjës policie, ju bëjmë me dije:
Rreth orës 17:30, në zonën e Freskut, shërbimet e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë qenë në shërbim, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin I. N. (i cili u identifikua më pas).
Pas ndalimit të automjetit, drejtuesi ka shfaqur shenja nervozizmi dhe ka filluar të debatojë dhe të kundërshtojë me fjalë punonjësit e Policisë.
Drejtuesi i automjetit është larguar me shpejtësi me automjet duke aksidentuar punonjësin e Policisë së Qarkullimit Rrugor shtetasit A. L. dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të tjerë të Policisë.
Për pasojë është dëmtuar punonjësi i Policisë A. L., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Në përfundim të veprimeve është arrestuar shtetasi I. N., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al