Përplasja e armatosur në Laç, ndërron jetë te Trauma 24-vjeçari

0
2

Ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës një nga të rinjtë e plagosur një ditë më parë nga të shtënat me armë në hyrje të qytetit të Laçit.

Viktima është 24 vjeçari Geri Bitri, i cili nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra nga plumbat pavarësisht përkujdesjes së mjekëve.

Geri Bitri së bashku me Liridon Ismalajn,  Amarildo Ndocin, Daniel Gjeloshin dhe shitësen ambulante Angjelina Gjezaj, mbetën të plagosur pas një sherri mes dy grupesh që nisi për shkaqe tërësisht banale, siç është ajo e gërvishtjes së dy makinave.

Deri në këto momente, policia ka arrestuar dy persona për këtë ngjarje të rëndë, si dhe ka sekuestruar armët e përdorura, një prej të cilave u gjet në një kantier ndërtimi.

Në pranga ranë Klevis Ndreca dhe Daniel Gjeloshi, arrestimi i të cilëve erdhi vetëm pas hetimeve të kryera, dëshmisë të personave në vendngjarje dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë.

Të dy të rinjtë akuzohen për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit.” (A2 Televizion)