Përshkallëzohen tensionet për territore në Mesdheun Lindor mes Greqisë dhe Turqisë

0
241

Tensionet për pretendime territoriale në Mesdheun Lindor mes Turqisë dhe Greqisë vazhdojnë të përshkallëzohen në mungesë të alternativave konkrete diplomatike.

Pas kërkimeve për gaz natyror dhe naftë në ujërat në perëndim të Qipros muajin e kaluar, Turqia njoftoi të martën për operacione të reja afër territoreve të tjera greke.

Athina njoftoi se anija eksploruese turke, “Oruç Reis”, duke nisur nga e mërkura deri më 12 shtator do zgjerojë hapësirën e veprimit mes ishujve të Kastelorizosë dhe Rodit.

Eksplorimi për hidrokarbure në këta ishuj konsiderohet nga pala greke i kundërligjshëm pasi shkel në një zonë ekskluzive të dakordësuar mes Greqisë dhe Egjiptit në muajin gusht.

“Turqia mbetet një faktor trazirash dhe destabiliteti në rajon. Ajo shpërfill thirrjet për dialog dhe i përshkallëzoi provokimet. Por Greqia nuk shantazhohet, ndaj ftojmë Turqinë të distancohet nga iluzionet e veta të përditshme,” reagoi Ministria e Jashtme greke.

Zyrtarë turq kanë pretenduar së fundmi se ishulli i Kastelorizosë me sipërfaqe pak më shumë se 9 km katrorë i takon realisht Turqisë pasi ndodhet 2 km larg bregdetit të saj dhe 600 km nga toka greke.

Pak ditë më parë, në territorin ishullor zbarkuan trupat greke me armë dhe pajisje ushtarake.

Athina e shpjegoi lëvizjen si ndërrim rutinë të rojave në zonë, ndërkohë që kryediplomati turk, Mehmet Çavusholu, të martën e komentoi atë si provokim militarist.

“Nëse armatosja e tejkalon kufirin, atëherë Greqia do të jetë ajo që do të dalë e humbur. Me mbështetjen e pakushtëzuar të Bashkimit Evropian, Greqia po ndërmerr hapa provokues. Ne nuk i  hymë në hak askujt, por as nuk lejojmë askënd që të na hajë hakun.”

Pala greke dhe ajo turke kanë ftuar njëra-tjetrën ta zgjidhin krizën mes tyre përmes tryezave të përbashkëta.

Bashkimi Europian ka sqaruar se në këtë konflikt mban krahun e Athinës dhe se do parashtrojë sanksione ndaj Ankarasë nëse kjo e fundit nuk tërhiqet nga pretendimet në Mesdheun Lindor.

Ora news