
Shiu i rrëmbyeshëm goditi rajonin verior të Italisë Emilia Romagna gjatë 24 orëve të fundit, duke shkaktuar përmbytje të mëdha dhe duke vrarë të paktën dy persona, thanë të mërkurën ekipet e shpëtimit dhe mediat.
Një çiklist i moshuar u mbyt kur u përfshi nga përmbytjet në qytetin e Castel Bolognese, njoftoi agjencia e lajmeve Ansa.
Trupi i një burri të moshës rreth 70 vjeç u gjet në një shtëpi që u shemb në fshatin e afërt Fontanelice, tha një zëdhënës i shërbimit zjarrfikës për Reuters.
Shiu vjen pas muajve të thatësirës që ngriti shqetësime për nivelin e ulët të ujit në Po, lumi më i madh i Italisë, i cili kalon nga perëndimi në lindje përmes pjesës veriore të Emilia Romagna.
Kryeministrja Giorgia Meloni tha në një deklaratë se ishte në “kontakt të vazhdueshëm” me autoritetet e përfshira dhe shprehu “solidaritet dhe afërsi” me të prekurit nga përmbytjet.
Pamjet e publikuara nga brigada e zjarrfikësve treguan përmbytje të mëdha në një zonë midis Bolonjës, kryeqytetit të Emilia Romagna-s dhe qytetit të Ravenës në bregun e Adriatikut.
Brigada e zjarrfikësve tha se kishte kryer rreth 400 operacione shpëtimi, duke evakuuar dhjetëra njerëz. Operatori hekurudhor Trenitalia tha se disa shërbime u pezulluan ndërsa një numër rrugësh u mbyllën.
