Përshtatën vilën me qira për shfrytëzim prostitucioni, përfundojnë në pranga 4 kineze

0
2

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, pas një hetimi dyjavor me metoda proaktive për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Prostitucioni” dhe “Përshtatatja e ambienteve për prostitucion”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në drejtimin e Prokurorisë, finalizoi operacionin e koduar “Storm 4”.

Si rezultat i këtij operacioni, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, u bë arrestimi i shtetases kineze F. Ë., 46 vjeçe, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, e cila dyshohet se ishte drejtuese e dhe organizatore e këtij rrjeti prostitucioni.

Gjithashtu u arrestuan 3 shtetase të tjera kineze L. M., 55 vjeçe, L. Ch., 49 vjeçe dhe Zh. H., 47 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.

 

 

Në kuadër të operacionit, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”, 2 shtetase kineze dhe 8 shtetas shqiptarë.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasja K. P., 46 vjeçe, banuese në Mbretërinë e Bashkuar, e dyshuar për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6 pasaporta të shtetaseve kineze, shuma parash në euro dhe dollarë, disa karta banke dhe karta telefoni etj.

Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi rezultoi se shtetaset kineze kishin përshtatur një vilë dykatëshe, të marrë me qira, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, nga shtetasja angleze, në bashkëpunim me 46-vjeçaren kineze dhe e kishin përshtatur me qëllim ushtrimin e prostitucionit.

Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë hetimet pasi dyshohet se ka shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari që dyshohet se qendrën e ka jashtë vendit, nga ku kryheshin  telefonatat nëpërmjet call centerit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.