Përurohet sot Notre-Dame de Paris! Lista e të ftuarve special të Macron, mes tyre Trump e Zelensky

0
2

Përveç presidentit të sapo zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, të paktën 40 krerë shtetesh do të marrin pjesë në rihapjen e Notre-Dame de Paris sot, e cila u restaurua pasi u përfshi nga zjarri shkatërrues në vitin 2019.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të jetë në Paris dhe do të pritet në Pallatin Elysee nga presidenti Emmanuel Macron i cili do të takohet edhe me Trump.

Disa liderë evropianë kanë konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen e tyre: Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, presidenti italian Sergio Mattarella, presidenti polak Andrej Duda, presidenti kroat Zoran Milanovic, presidenti bullgar Rumen Radev, presidenti estonez Alar Karis, presidenti finlandez Alexander Stubb, presidenti lituanez Gitanas Nauseda. Greqia do të përfaqësohet nga Presidentja e Republikës Katerina Sakellaropoulou.

Në listë përfshihen edhe emrat e kryeministrit armen Nikol Pashinyan, presidentes gjeorgjiane Salome Zurabishvili, kryeministrit serb Milos Vucevic, presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrit holandez Dick Schoof.Ndërkohë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nuk do të marrë pjesë.

Në ceremoni nuk do të mungojnë as pjesëtarët e familjeve të ndryshme mbretërore evropiane. Prezent do jenë çifti mbretëror belg, Philippe dhe Mathilde, dhe Princi Albert i Monakos. Princi William, trashëgimtari i fronit britanik, do të përfaqësojë vendin e tij, por gruaja e tij Kate nuk do ta shoqërojë atë.

Gjithashtu pritet të marrin pjesë edhe disa liderë të shteteve afrikane: Presidenti kongolez Denis Sassou Nguesso, Presidenti i Republikës Demokratike të Kongos Félix Tshisekedi, Brice Oligarchy Ngouma i Gabonit dhe Faure Gnassingbé i Togos.

Presidenti amerikan Joe Biden do të përfaqësohet nga gruaja e tij, Zonja e Parë Jill Biden.

E gjithë ceremonia për rihapjen e Notre Dame do të mbahet brenda katedrales, pasi meteorologët parashikojnë kushte të këqija të motit.

 

Top Channel