Pesë ushqimet më të shëndetshme të vjeshtës

0
96

Vjeshta është stina ideale për shumë fruta, zarzavate peshk, ushqime të nëntokës të cilat mund të na ndihmojnë të humbasim kilogramët e tepërt, të mbrojmë zemrën e të kemi imunitet më të fortë.

Kungulli i artë

Jo më kot e cilësojnë si mbretin e vjeshtës. Kungujt janë produkti i artë që e bën vjeshtën krenare në bujarinë e saj. Kungulli përzgjidhet me kujdes për përgatitjen e gatimeve të ndryshme, byrekut të famshëm të trojeve tona, supave apo ëmbëlsirave.

Një tjetër metodë për të shijuar kungullin është pjekja në furrë. Atë mund ta shoqëroni me kajmak të qumështit të dhisë dhe arra. Vjeshta është stina ideale për të shijuar vlerat fantastike të kungullit.

Kërpudhat

Kërpudhat janë një burim i mirë i vitaminës B që na ndihmon të marrim energji duke shpërbërë proteinat, yndyrnat dhe karbohidratet.

Ato kanë shumë shije e vlera dhe pak kalori. Kërpudhat kanë në përmbajtjen e tyre selenium, zink dhe kalium.

Të tre këto minerale janë antioksidantë të fuqishëm të cilat i bëjnë mirë zemrës dhe e mbrojnë atë nga një sërë sëmundjesh.

Lulelakra

Lulelakra përmban antioksidantë të cilët janë thelbësorë për sistemin imunitar. Lulelakra është e pasur me vitaminë B1, B2, B3, B5, B6, B9, C, Omega-3 dhe vitaminë K.

Lulelakra njihet si një perime super e shëndetshme sepse është një burim sulforafani, një substancë që sulmon qelizat e dëmshme dhe ngadalëson rritjen e qelizave tumorale. Lulelakra është një burim i mirë fibre që përmirëson tretjen.
Një racion me lulelakër përmban 3.35 g fibër dietike, e cila pastron sistemin tretës nga substancat e dëmshme dhe ndihmon kundër mbipeshës.

Molla

Nëse ekziston një frut që të bën shumë mirë ajo është molla. Nuk është ekzagjerim. Molla njihet për vlera dhe përbërës të jashtëzakonshëm ushqimorë që të mbrojnë nga një sërë simptomash dhe sëmundjesh.

Studimet kanë treguar që konsumimi i mollës ul ndjeshëm rrezikun e goditjeve në tru. Ngrënia e rregullt e mollës besohet se ul rrezikun e shfaqjes së diabetit të tipit 2 sepse ajo përmban fibër dhe ndihmon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak.

Një studim të cilit i referohet AgroWeb.org thotë se ngrënia e dy mollëve në ditë për të paktën 8 javë i bën mirë zemrës sepse ul nivelin e kolesterolit në gjak me deri në 4 përqind.

Dardha

Dardha ka përmbajtje të lartë fibre, vitamina B2 , C, E, përmban bakër dhe kalium si dhe antioksidantë. Dardha konsumohet së bashku me cipën e jashtme.

Një fjalë e urtë popullore shqiptare thotë – ‘Mollët qëroji, dardhët numëroji’. Konsumi i dardhës ul sasinë e sheqerit në gjak si dhe ndihmon ne mirëmbajtjen e peshës trupore.

 

Top Channel