Besie Koshena, efektive në komisariatin e policisë nr.1 në Tiranë u pezullua nga detyra pasi akuzohet për mashtrim. Sipas AMP, 44 vjeçarja, në bashkëpunim me 35 vjeçarin Geri Kurti, ka shitur një mjet të sekuestruar për pjesë këmbimi me qëllim përfitimin.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se bëhet fjalë për një mjet tip Golf 6, i cili u sekuestrua pas vetëvrasjes së një personi brenda mjetit. Në atë kohë, mjeti u bllokua si provë materiale.
Pas verifikimeve dhe hetimeve, prokuroria urdhëroi që mjeti t’i kthehej familjarëve të viktimës. Besie Koshena, e cila ishte urdhëruar për të kthyer mjetin, fillimisht flet me babain e të riut që u vetëvra ku e ka pyetur nëse kishin për qëllim për të mbajtur apo jo mjetin.
I ati në kushtet e tronditjes së humbjes së djalit të tij i ka thënë që do e shiste. Efektivja i kishte premtuar më pas që mjetin do e blinte ajo. Pasi e ka marrë për kontroll te mekaniku ajo e ka shitur në bashkëpunim me Geri Kurtin për pjesë duke mos i dhënë lekët familjarëve./abcnews.al