Fermerët dhe bujqit janë ndër personat më të ekspozuar dhe më të rrezikuar nga pickimet e insekteve dhe zvarranikëve në periudhën e verës. Edhe pse ato janë të mësuar tashmë me këtë rrezik, rastet e urgjencave dhe komplikacioneve nuk kanë munguar.
Në qarkun e Elbasanit fusha e Dumresë është ndër zonat më të mëdha bujqësore dhe në këtë zonë me fillimin e verës janë shtuar edhe rastet e pickimeve, që konfirmohen edhe nga personeli i qendrës shëndetësore të Bashkisë së Belshit.
Nisur nga rastet e shtuara dhe neglizhenca e pacientëve që jo në pak raste përdorin metoda amatore për të mjekuar plagët apo pasojat e pickimeve, mjekët apelojnë që ti shmangin këto metoda dhe të kërkojnë ndihmën e specializuar mjekësore.
Gjithashtu mjekët apelojnë bujqit dhe fermerët që veçanërisht në ditët e nxehta të shmangin punët në ara dhe fusha gjatë orareve të drekës, pasi në këtë periudhë është më i lartë efekti i pickimeve apo kafshimeve, që mund të ndodhin nga insektet apo gjarpërinjtë.