Piloti rus i Formula 1 ankohet: Nuk i bindem faktit që jam pjesë e sanksioneve, po fshijnë çdo gjë ruse

0
129

Nikita Mazepin është parë gjithmonë si një pilot jo i denjë për të qenë në cirkuitin e Formula 1, të cili ti është dhuruar një vend në skuderinë Haas falë donacioneve të babait, një nga oligarkët më të pasur rus, pronar i një prej kompanive më të mëdha në botë për fertilizuesit, e quajtur UralKali.

Edhe pse donacionet e babait të Mazepin ishin tejet të rëndësishme për ekipin e vogël të bazuar në SHBA, pronësia e Haas dhe drejtori i saj Guenther Steiner nuk u mendua dy herë që të shkarkonte pilotin e ri, që më shumë kishte krijuar aksidente gjatë sezonit të kaluar.Sot Mazepin kritikon vendimin, duke e cilësuar, si tentativë për të zhdukur çdo gjë ruse nga sporti tek kultura, ajo “cancel culture” që është shndërruar në trend, edhe pse në kontekste të ndryshme.

“Nuk i bindem faktit që jam pjesë e sanksioneve, do të apeloj”, thotë piloti , duke harruar faktin që miliardat e të atit varen edhe pjesërisht edhe nga miqësia e ngushtë me presidentin rus Vladimir Putin.

Mazepin deklaroi që ndihet i trishtuar për çka po ndodh ne Ukrainë, por nuk dënoi në asnjë moment Kremlinin për agresionin.“Jetoj në një planet si ju dhe është e trishtueshme në shumë nivele ajo që po ndodh. Si qenie njerëzore dua të jetoj në një botë plot paqe. Por për të qenë i drejtë, me duket shumë e rrezikshme të them çfarëdolloj gjëje në këtë moment, sepse asnjë palë do të ishte e kënaqur”, shtoi 23-vjeçari. Teknikisht, ekipit Haas nuk do t’ i mungojë aq shumë Mazepin. Përtej pretendimeve të rusit mbi një trajtimi favorizues të mekanikëve ndaj shokut të ekipit Mick Schumacher, Mazepin nuk la gjurmë duke mos arritur të merrte asnjë pikë gjatë sezonit të kaluar. Ndërkohë, në vetëm dy gara, zëvendësuesi i tij Kevin Magnussesn ka marrë 12 pikë, që mund të kompensojnë milionat e humbura nga sponsori i babait miliarder të Nikitës.