Piperi i kuq djegës! Si ta përdorni për nëntë probleme shëndetësore

0
116

Piperi i kuq djegës është një nga erëzat më popullore në botën e recetave të larmishme e të shijshme.

Specat djegës mund t’i gjejmë në formën e tyre të plotë ose në formë pluhuri siç është piperi djegës.

Përveç plotësimit të shijes së shumë gatimeve, piperi djegës përdoret në shumë prej mjekësive popullore më në zë në botë.

Nxehtësia përvëluese e kësaj erëze i atribuohet një përbërësi aktiv që njihet si kapsaicina. Kjo e fundit ofron edhe shumë vlera të rëndësishme shëndetësore.

Kapsaicina përmban edhe vitaminat C, A, B6, E si dhe kalium, mangan, bakër, hekur dhe antioksidantë.

9 përfitimet kryesore të piperit djegës

Dhimbjet e kyçeve dhe muskujve

Kapsaicina parandalon aktivizimin e transmetuesve nervorë të dhimbjes dhe është shumë efikase kundër dhimbjes së kyçeve apo muskujve.

AgroWeb.org ju udhëzon të përzieni gjysëm luge çaji me spec djegës të bluar dhe 2 deri në tre lugë çaji me vaj ulliri të ngrohur ose vaj të arrës së kokosit.

Vendoseni pomadën mbi kyçet ose muskujt që ju dhembin dhe shpërlajeni pas 20 minutash.

Mpiksja e gjakut

Kapsaicina shërben si antioksidant i fuqishëm dhe zgjeron enët e gjakut. Përzieni gjysmë luge çaji me spec djegës pluhur në një gotë me ujë të ngrohtë.

Shtoni dy lugë gjelle me uthull molle të pafiltruar dhe një lugë gjelle me mjaltë.

Pijeni këtë kurë dy herë në ditë.

Mbipesha

Kapsaicina ul oreksin dhe ju ndihmon të arrini objektivat tuaja për të shmangur mbipeshën.

Piperi djegës në tërësi ndihmon trupin të djegë yndyrnat sa më shpejtë dhe përmirëson tretjen.

Shtoni gjysëm luge piper djegës në lëngun e preferuar të mëngjesit për të mposhtur urinë dhe djegur kaloritë.

Pastrimi i organizmit

Piperi djegës dhe speci i plotë shërbejnë për pastrimin e organizmit nga toksinat dhe radikalet e lira.

Detoksifikimi i shërben mëlçisë dhe tëmthit për të nxjerrë jashtë të gjitha substancat e dëmshme.

Përzieni lëngun e një limoni, gjysmë luge çaji me piper djegës të kuq dhe mjaltë në një gotë me ujë. Pijeni esëll çdo ditë për një javë dhe përsëriteni kurën pas një muaji.

Acarimi i fytit

Në një gotë me ujë të ngrohtë hidhni një gjysmë luge çaji me piper djegës dhe bëni gargarë tre deri në 4 herë në ditë deri sa acarimi dhe dhimbja e fytit të jenë larguar.

Piperi djegës ndihmon në largimin e inflamacionit dhe zhbllokimin e rrugëve të frymëmarrjes.

Dhimbjet e kokës

Piperi djegës rekomandohet për dhimbjet e kokës të shkaktuara nga tensioni dhe jo vetëm. Ata që vuajnë nga migrena mund të largojnë dhimbjet duke konsumuar piper djegës.

Kapsaicina mpin sinjalet nervore të dhimbjes dhe fuqizon qarkullimin e gjakut në tru.

E ftohura

Përzieni një majë luge me piper djegës dhe xhenxhefil të grirë. Shtoni nga një lugë gjelle me mjaltë dhe uthull të pafiltruar si dhe gjysmë gote me ujë të ngrohtë.

Këtë kurë duhet ta pini dy herë në ditë që të shëroheni më shpejt nga e ftohura.

Psoriaza

Aplikimi në lëkurë i kapsaicinës është shumë efikas kundër psoriazës dhe kruarjeve shoqëruese. Për më tepër, kjo substancë parandalon infeksionin dhe lufton mikrobet.

Kundër psoriazës rekomandohet aplikimi i kremërave me bazë kapsaicine dhe jo pluhuri i piperit djegës.

Shëndeti dentar

Piperi djegës shuan dhimbjet dhe enjtjen e mishrave të dhëmbëve. Ai stimulon prodhimin e pështymës, trajton erën e keqe dhe përtharjen e gojës.

Ju mund të fërkoni mishrat dhe dhëmbët me piper djegës dy ose tre herë në javë për të shmangur problemet.