Plagosi 70-vjeçarin për lojën e domino-s dhe largohet me thikë në dorë, arrestohet i moshuari në Durrës

0
2

Një ngjarje e rëndë ka tronditur lagjen nr.11 në Durrës, ku një 70-vjeçar është plagosur rëndë me thikë gjatë një konflikti për motive të dobëta, konkretisht një debat verbal për lojën e domino-s. Autori i sulmit, shtetasi A.Sh., 67 vjeç, u arrestua nga Policia e Durrësit menjëherë pas ngjarjes, pas një ndjekjeje të shpejtë.

Ngjarja ndodhi dje në zonën e njohur si “Lulishtja”, pranë sheshit “Pranvera”. Sipas burimeve zyrtare, konflikti nisi me fjalë fyese mes dy të moshuarve dhe u agravua deri në përdorimin e mjetit prerës nga 67-vjeçari, i cili goditi 70-vjeçarin F.T. në mënyrë të rëndë.

Pas sulmit, autori u largua nga vendi me thikën në dorë, por Policia ndërhyri menjëherë, e ndaloi pas disa minutash dhe sekuestruar mjetin prerës si provë materiale.

I plagosuri ndodhet në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku po merr trajtim të specializuar për plagët e marra. Gjendja e tij shëndetësore është serioze, por stabile.

Autoritetet policore vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe janë në pritje të hetimeve të mëtejshme nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës. Materialet procedurale iu referuan për veprimet e nevojshme lidhur me veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.