Plagosi me armë zjarri 45-vjeçarin pasi mësoi tradhtinë e gruas, vetëdorëzohet pas disa ditësh efektivi Erjon Goxhara

0
58

Efektivi Erjon Goxhara është vetëdorëzuar në polici këtë të mërkurë pasi plagosi dy ditë më parë 45-vjeçarin Lorenc Kosta.

“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 19.08.2024, për ngjarjen e ndodhur në afërsi të një marketi në rrugën “Tish Daija”, sot, rreth orës 17:00, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, së bashku me armën e shërbimit me të cilën ka kryer veprën penale, shtetasi Erjon Goxhara, 46 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, sipas njoftimit të policisë.

Efektivi i policisë e qëlloi në mes të rrugës 45-vjeçarin, duke i shkaktuar plagë në pjesët e këmbëve dhe ato intime. Më pas nxori telefonin dhe e filmoi.

Goxhara dyshonte se Kosta kishte lidhje intime me bashkëshorten e tij, me të cilën kanë dy fëmijë.

“Të mësosh që mos të futesh më në familjet e të tjerëve dhe as t’i hash djersën e tjetrit”. Me këto fjalë iu drejtua efektivi i policisë Erjon Goxhara, Lorenc Kostës, pasi e qëlloi me 6 plumba.

Mësohet se bashkëshortja e efektivit është njohur në vendin e punës me Kostën, aty ku dhe kanë nisur një romancë jashtëmartesore.

Historia është zbuluar rreth 4 muaj më parë nga efektivi Erion Goxharra, ku kanë pasur edhe debate në familje.

Pasi u qëllua 6 herë nga efektivi, i cili në atë moment ishte jashtë shërbimit, Kosta ndodhet në spital në rrezik për jetën.

Ndërsa policia vendosi në dispozicion 10 mijë euro për këdo që jepte informacion të saktë për lokalizimin e tij, ishte kunati i policit, i cili u përdor si negociator që ai të dorëzohej në komisariat.

Në pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë në vendin e ngjarjes, duket momenti kur polici ka qëlluar dhe Kosta ka tentuar të mbrohet duke vendosur duart para, e më pas ka tentuar që të largohet me vrap, por është qëlluar sërish dhe është rrëzuar.