Policia e Sarandës ka arritur që të zbardhë ngjarjen e regjistruar një ditë më parë në këtë qytet ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetasit, Gëzim Hajdaraj 33 vjeç dhe Ernest Lama 25 vjeç.
Përmes një njoftimi zyrtar, blutë e qytetit bregdetar bëjnë me dije se falë hetimeve ka rezultuar se në këtë ngjarje kanë qenë të përfshirë gjashtë shtetas, bashkë me Hoxhajn dhe Laman.
Në vijim të hetimeve Policia ka shpallur në kërkim katër shtetas, njëri prej të cilëve tentoi që të vriste me armë zjarri dy qytetarët nga Tirana.
Në kërkim u shpallën shtetasit: Erjon Canaj, Artan Murtaj, Klaus Jaçaj dhe Ramadan Zoto, ky i fundit ka rezultuar të jetë dhe autori i cili tentoi të vriste Hajdaraj dhe Laman pas një debati që patën i cili fatkeqësisht degradoi deri në përdorimin e armëve të zjarrit.

Gjithashtu u bë i mundur edhe arrestimi i 33-vjeçarit Gëzim Hajdari, pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë.
Në vendngjarje u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 gëzhoja arme zjarri, një armë zjarri pistoletë tip “Beretta” dhe një krehër me 9 fishekë.
Teksa policia po punon për gjetjen dhe arrestimin e shtetasve të lartpërmendur, dy të plagosurit, 35-vjeçari dhe 25-vjeçari ndodhet në spital ku dhe po vijojnë të marrin ndihmë mjekësore.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Sarandë/Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme, në Sarandë, ku dy shtetas mbetën të plagosur me armë zjarri.
Shpallen në kërkim 4 shtetas të përfshirë në këtë ngjarje, njëri prej të cilëve tentoi të vriste me armë zjarri dy shtetasit.
Vihet në pranga edhe një prej të plagosurve, pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë.
Në vijim të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 17.07.2025, rreth orës 15:00, në një lokal, në lagjen nr. 3, Sarandë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale të nevojshme për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, ku si rezultat u shpallën në kërkim katër shtetas:
• R. Z., 43 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë.
• E. C., 36 vjeç, A. M., 43 vjeç, dhe K. J., 31 vjeç, të tre banues në Sarandë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se për motive të dobëta, këta shtetas janë konfliktuar fizikisht me shtetasit G. H., 33 vjeç, dhe E. L., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë dhe gjatë këtij konfliktit, shtetasi R. Z. dyshohet se ka qëlluar drejt tyre me armë zjarri, duke i plagosur rëndë të dy. Shtstasit G. H, dhe E. L, ndodhen në Spitalin e Traumës, Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.
Gjatë hetimeve dhe kontrolleve të ushtruara në kuadër të zbardhjes së kësaj ngjarjeje, shtetasit G. H. iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i tij, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në vendngjarje u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 gëzhoja arme zjarri, një armë zjarri pistoletë tip “Beretta” dhe një krehër me 9 fishekë.
Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.