Plas keq në PD Elbasan! “Flamur Noka më hoqi emrin nga lista”, kandidati i PD në Elbasan: Më tha se duhet t’i lë vendin dikujt tjetër

0
2

Akuzat e Dash Sulës se Flamur Noka po përcakton listat e kandidatëve për deputetë në PD, përforcohen me një tjetër emër brenda radhëve të demokratëve të Qarkut të Elbasanit.

Kandidati i PD në Elbasan, Renato Kumrija ka hedhur akuza të forta drejt Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka.

Sipas tij, i është komunikuar lajmi se nuk do të jetë në listë si kandidat për deputet pasi duhet t’i lindte vendin dikujt tjetër. Ai shprehet se janë lënë në listë, kandidatë me shumë më pak mbështetje nga Primaret.

Renato Kumrija ishte pjesë e listës së hapur të Partisë Demokratike në listën e dorëzuar në KQZ më 12 mars.

Kandidati i opozitës në Elbasan thotë se ka kundërshtuar vendimin personal të Flamur Nokës, ndërsa shton se ky i fundit ka shkelur statutin e PD.

“Të dashur anëtarë të Partisë Demokratike Qarku Elbasan, miq, shokë dhe bashkëpunëtorë që keni besuar tek unë si një i ri në politikë dhe më keni dhënë mbështetje të pakushtëzuar, pa interes, që të jem kandidat për deputet i Partisë Demokratike.

Ju ve në dijeni që më ka thirrur Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, i cili me ka komunikuar qe unë nuk do të jem në liste si kandidat për deputet. Arsyeja është e thjeshte, pasi duhet t’ia lenë vendin dikujt tjetër, ndërsa kanë lënë në listë kandidatë me shume me pak mbështetje nga Primaret. Edhe pse e kundërshtova me forcë qëndrimin e tij personal, duke shkelur statutin e PD dhe çdo kod njerëzor, ai (Flamuri) ma fshiu emrin.

Dua të falenderoj gjithësecilin nga ju, te cilët më mundësuat që unë të isha një ndër të rinjte më te votuar në qytetin e Elbasanit (i 3-ti në renditje), në nivel Qarku isha i 8-ti dhe dola si një ndër kandidatet e rinj më potencialë për të marrë pjesë në zgjedhjet Parlamentare si përfaqësues i PD-së.

Për fat të keq, kuptova që puna, përkushtimi dhe interesi për t’i dhënë zë nevojave të qytetarëve të thjeshtë dhe për t’i përfaqësuar ata denjësisht nuk është primare për politikëbërësit.

Prandaj, me keqardhje; miq dhe dashamirës që e pritet me krahëhapur figurën dhe njeriun që unë përfaqësoj, ju lajmëroj që nuk do te jem pjese e “listës së hapur”, sepse është më e mbyllur se vetë emri nga Flamur Noka. Miqtë e mi, ju e kuptoni shume mirë pse ndodhi kjo!

A mos valle ka pazare apo negociata përgjatë natës se fundit te afatit per t’u regjistruar nga KQZ, kete e di vetem Flamur Noka dhe koha qe jam i bindur se do me jape te drejte mua dhe krejt Elbasanit, per të cilen ai ka hedhur poshtë Demokracine për votën e lirë ndaj nje fryme te re dhe nje te riu qe pat mbeshtetjen me te sinqerte nga familjet e Elbasanit.

Është për te ardhur keq që figura të tilla si Flamur Noka tremben nga mbështetja që ka një njeri i ri në politikë dhe fillojnë sulmet që të kenë mundësi të bëjnë lirshëm dallaveret e tyre dhe nuk pretendojnë Fitoren, por kërkojnë Humbjen ne zgjedhje”, shkruan ndër të tjera Kumrija në reagimin e tij.