Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj në burg/ GJKKO jep masat e sigurisë për dy të ekstraduarit nga Dubai

0
55

GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë arrest me burg për Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçajn, të cilët u ekstraduan një ditë më parë nga Dubai. Gazetari Ervin Leka raporton se masat janë dhënë vetëm për dosjen e atentatit ndaj ish prokurorit Arjan Ndoj, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2019.

Në seancën ku ishte i pranishëm si përfaqësues i SPAK, drejtuesi Altin Dumani, nuk është bërë me dije mënyra se si dy të shumëkërkuarit iu dorëzuan autoriteteve shqiptare, ndërsa më herët avokatët kërkuan kohë të njihen me aktet.

Dervishaj dhe Meçaj janë shprehur para gjyqtares Rudina Palloj se kanë ardhur vetë për t’u përballur me drejtësinë dhe kanë kërkuar masa më të buta sigurie pasi sipas tyre nuk kanë rrezik ikje.

 

“Ata kanë thënë se kanë shprehur dëshirën në Dubai për të ardhur për t’u përballur me drejtësinë në Shqipëri. Sipas qëndrimit të të dyve por edhe avokatëve, ata kanë ardhur me dëshirë për t’u përballur me GJKKO dhe SPAK, ku masat e sigurisë iu janë komunikuar vetëm për ngjarjen e vitit 2019, ku iu bë atentat ish prokurorit Arjan Ndoj.”, raportoi gazetari Ervin Leka.

Plarent Devishaj u shpall në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për shkak se dyshohet si organizator i atentatit ndaj ish prokurorit Arjan Ndoj në vitin 2019, në afërsi të Durrësit. Ndaj tij GJKKO, ka caktuar masën “arrest në burg” për veprat penale “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerjen e veprave penale organizata kriminale”.

Nga ana tjetër më datë 26 shkurt 2005, në Durrës, Plaurent Dervishaj, në bashkëpunim me 3 persona të tjerë dyshohet se kanë vrarë shtetasin Klodian Saliu me armë zjarri. Ndërkohë sipas Policisë së shtetit, më datë 27 shkurt 2005, Plaurent Dervishaj, në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se kanë vrarë Vajdin Lamajn dhe Artan Arsi, me eksploziv.
Për sa i përket Julian Meçajt, Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grupi organizata kriminale”.

Më datë 01 nëntor, 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është gjuajtur disa herë me armë ndaj automjetit të drejtuar nga Andi Maloku (i cili humbi jetën), ku pasagjer ishin edhe ish prokurori Arjan Ndoj, dhe Alekasander Laho. Nga hetimet, Julian Meçaj është identifikuar si një nga autorët, duke e kryer këtë krim në bashkëpunim me shtetas të tjerë./abcneës.al